NGA MARK BRUNGA
DURRËS, 30 tetor 2014 – Në prag të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut, Besnik Alibali feston edhe 80-vjetorin e lindjes.
Me një jetë të dendur për nga aktiviteti shumëplanësh njerëzor e intelektual, ai është dalluar veçanërisht në çminimet e rajoneve të ndryshme të vendit, që arriti pikën kulmuese në vitet 97 për veprimtarinë antiminë, për gjetjen, grumbullimin dhe asgjësimin e tyre.
“RIMOBILIZIMI”
Po nëse në vitet e rinisë ishte thjesht një ushtarak i talentuar, që zbatonte detyrat në mënyre krijuese për mbrojtjen e kufijve përherë të kërcënuara të atdheut, në vitet e zeza të anarkisë qytetare, koloneli pensionist Besnik Alibali u rimobilizua shpirtërisht dhe ishte një luftëtar aktiv në propagandën dhe punën konkrete antiminë, për shkak të instinktit të ndërgjegjes për t’u shërbyer njerëzve duke u mbrojtur jetën dhe duke i ndërgjegjësuar ata për rrezikun kërcënues të minave.
Duke i çminuar praktikisht nga arsenalet e shumta të armëve dhe minave që ndodheshin realisht në terren e deri në banesa, por duke “i minuar” edhe psikologjikisht, me aftësinë e një oratori të rrallë e praktik që kërkon të çmobilizojë shpirtërisht edhe nga egërsia që buron në një shoqëri, kur ajo është shumë e militarizuar dhe e fragmentarizuar në kontradikta të ashpra në periudha të veçanta të historisë së saj.
Në cilësinë e kryetarit të Komitetit Shqiptar të Miqve Antiminë, koloneli në rezervë Alibali, në atë periudhë do t’u drejtohej banorëve të vendit me thirrje që të rrinin larg lëndëve ushtarake të panjohura dhe minave e municioneve.
Krahas tyre. ai fokusohej veçanërisht në propagandimin e luftës së domosdoshme kundër minave të të gjitha llojeve dhe formave që s’duheshin prekur, pasi janë shkatërruese dhe vdekjeprurëse.
Ai porosiste , në emër të jetës për fëmijët dhe të ardhmen, të mbaheshin larg duart nga lëndët ushtarake të panjohura, pasi çdo lëndë e panjohur në përdorim ushtarak me ambalazhe të ndryshme mund të jetë helmuese ose radioaktive që mund të shkaktonin vdekje të menjëhershme.
Në fletëvolantet e emetuara dhe të shpërndara nga Komiteti i Miqve Antiminë i drejtuar prej tij, ai porosiste si profesionist i vjetër me përvojë për gjëra praktike të evitimit të fatkeqësive që mund të shkaktoheshin…
BASHKËFITUESE E ÇMIMIT “NOBEL”
Tregon Alibali:
“Komiteti i Miqve Antiminë në Shqipëri, është themeluar në vitin 1996. Me qëllim që të kërkohej ndalimi i prodhimit të armeve çnjerëzore të minave.
Dhe shoqata mbeti në Durrës si qyteti simbol, që bënte pjesë në qytete me të minuara të Luftës së Dytë Botërore.
Me histori në minime, çminime, me ngjarje, histori, fatkeqësi, me solidaritet të madh njerëzor dhe aksione…
Po kur ne krijuam Komitetin e Miqve Antiminë, ne nuk e dinim se në botë ekzistonte një lëvizje e fuqishme kundër minave: Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore.
Po ne hymë në rrjedhat e veprimtarisë së kësaj fushate me shume veprimtari të dendur si botime e konferenca shkencore dhe nëpërmjet sensibilizimit masiv të bërë fituam popullaritet si grupim nga më aktivët në luftën ndërkombëtare kundër minave.
Si të tillë tashmë jemi bashkëfitues të Çmimit Nobel për Paqen, për vitin 1997’.
Rreth kësaj periudhe, viti 1997 kur u fitua Nobeli, Kolonel Alibali do të shënonte me hollësi çdo gjë në kujtimet e veta, që padyshim do të përbejnë në të ardhmen si vlera të rralla historike për atë periudhë të errët.
Ai kujton:
“Në ato momente të vështira kur armët dhe minat u rrëmbyen nga qytetarët, ne bëmë thirrje për kujdes, shpërndamë fletëpalosje në qytete e vendit duke bërë thirrje që “të korrat e hidhura të marsit” të mos përdoreshin si “farë”, por të luftonim për të ndërtuar një shoqëri civile pa dhunë, pa mina, pa armë e municione.
Iu përkushtuam këtyre problemeve, duke synuar futjen e Shqipërisë ne procesin e Otavës, për nënshkrimin dhe ratifikimin e traktatit që i thotë “Jo” prodhimit, transferimit, magazinimit, përdorimit dhe “Po” shkatërrimit minave tokësore kundër njeriut”.
Ishte koha kur në duar të popullsisë ranë armatime të rrezikshme.
Ai sjell si statistikë faktin që në duar të popullsisë ranë 650 000 armë të ndryshme, 1 milion mina, 3.5 milionë granata dore, 1.5 milion predha artilerie, 6 mijë tonë eksploziv, 1 miliard fishekë, si dhe rreth 700 mijë mina kundër këmbësorisë (kundër njeriut)
FRAGMENTE NGA KUJTIMET E OFICERIT NË ÇMINIM
“Përpara meje qëndron një minë Zemra filloi të më rrihte me forcë…Unë dëgjoja rrahjet e zemres sime. U mbulova me djersë dhe menjëherë përfytyrova ngjyrën e zbehtë që duhej të më kishte mbuluar faqet dhe ballin e djersitur…Me mollëzat e gishtërinjve largoja dheun e shkrifët, të mbërthyer në rrënjët e barit. Kisha përpara meje historinë e luftërave, të konflikteve, të dhunës…Kjo ishte ajo… që më kishte mbërthyer dhe ecte drejt pleqërisë sime…Ajo, e ndryshkur, ndërsa unë i rrudhosur. Dy armiq për jetë a vdekje që ecnim ashtu, me karshillëk, në krah të njëri- tjetrit! Nuk mund të llogaritet se sa herë në letra, në mendje, në biseda, kam përmendur këtë fjalë…Mina! Ndofta milionat janë pak.
Ja u zbeha. Vazhdoja të hiqja dheun anash. Cfarë fshihej aty?… Një kurth! Vetë mina është një kurth dhe rrotull saj fshihen kurthe të tjerë. Djallëzia njerëzore e dikurshme, këtu është “konservuar” në mënyrë të përsosur”.
BOMBA 100 KILOGRAMESHE OSE POEZIA ME VDEKJEN
Bashkim Alibali ka shkruar shume në prozë, por ka shkruar shumë edhe poezi. Por edhe kur shkruan në prozë, ai e paraqet atë me një tis të hollë poezie mes vargjeve. Edhe kur përshkruan rrezikun e vdekjes.
Mbase ky talent i fshehur nën etikën e ftohtë të oficerit ka qenë një lloj limfe e ngrohtë shpirtërore që i ka dhënë shtysë përpara për të kapërcyer situatat e vështira në jetë, para minave që ka ditur t’i mposhtë, por edhe para minave shpirtërore të vendosura nga kolegët e vet kur, në jetën e tij filluan të fryjnë erërat e persekutimit dhe e spostuan nga shtabet madhore në periferi drejt Durrësit.
Kjo histori pas spastrimeve filluan në ushtri në vitet 70.
Por që i dha kurajë për të mbijetuar dhe për ta ruajtur të freskët gjelbërimin shpirtëror, dashurinë njerëzore…Në kujtimet e veta, të përmbledhura në “Testamenti i një xhenieri” ai sjell pikërisht një episod të rëndë, por të ambalazhuar poetikisht. Në një prozë të shkëlqyer poetike-historike:
“Rastësisht u gjet një bombë aviacioni e Luftës së Dytë Botërore, rreth 100 kg, u ngarkova që ta heq atë…
Bomba “e heshtur” kishte filluar “të qante”.
Nëpërmjet filetës së ndezësit të saj kishte filluar të dilte një jargë e verdhë, që pothuajse kishte lyer një pjesë të trupit të sajë të ftohtë.
Koha kishte vepruar mbi eksplozivin.
Ajo po skadonte. Jarga e nxjerrë nga bomba nuk ishte gjë tjetër përveçse nitroglicerina e shkëputur nga elementët e tjerë kimik të përbërjes së tritolit si mbushës i bombës. E kjo nitroglicerinë është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse ajo është shumë e ndjeshme nga faktorët e jashtëm…Thonë se nitroglicerina mund të pëlcasë edhe nëse ajo ngacmohet nga prekja e mizave. Bomba ndodhej shumë pranë një qendre të banuar. Mua më ra shorti për ta hequr atë”.
Pas këtij përshkrimi autori tregon se si, për të mos rrezikuar banorët, bomba e rrezikshme u transportua më shumë gjatë freskut të natës, ku çdo centimetër rrugë mund të ishte edhe distancë e fundit e jetës së xhenierit.
Bomba u transportua në një distancë 5 km larg vendit ku u gjet dhe u asgjësua në një grykëderdhje lumi…
Memorialë të rrallë mund t’i quajmë këto fragmente ngjarjesh historike e tragjike që kolonel Alibali na i ka përcjellë në forme deri diku poetike!
BESNIK ALIBALI
Besnik Alibali ka lindur më 4 tetor 1934. Ka pasur poste drejtuese dhe ko manduese në repartet xheniere. Ka marrë pjesë në operacione të ndryshme çminimi. Është i dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Artë “ Për merita të veçanta civile ”.
Ka punuar si pedagog nëe Akademinë Ushtarake.
Kolonel në rezervë.
Kryetar i Komitetit Shqiptar të Miqve Antiminë.
Autor i 19 librave të botuara në prozë, dramaturgji, ese, si dhe botime shkencore në fushën e sociologjisë urbane edhe atë të sigurisë njerëzore.
Anëtar Nderi i Shoqatës së Ushtarakeve Xhenierë në Pension.
Rotarian.
STATISTIKE PER MINAT NE SHQIPERI
Kolonel Alibali shkruan në doracakun shumë-përdorimesh “Të veprohet kundër minave dhe UXO-ve”, se në mars të vitit 1999, gjendja e minave ishte duke u bazuar në shpërndarjen e municioneve sipas frymës së popullsisë: 1.5 milion mina dhe eksploziv, 3.5 milion mina dhe granata, 1 milion mina dhe predha, 1 milion mina ekzistuese.
Ndërsa për trashëgiminë e minave të vendosura nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore përmend minimet e ushtrive austriake-hungareze në Kavajë.
Për Durrësin shkruan se në një front prej 20 km ka pasur ne fushat e minuara rreth 200 000 mina kundërtanke dhe 20 000 mina kundër këmbësorisë.
Aksioni për heqjen e minave ka vazhduar 20 vite.
Në këtë fushatë morën pjesë specialistë italianë, gjermanë, francezë dhe rusë, disa prej të cilëve dhanë edhe jetën.
Edhe flota anglo-amerikane mori pjesë në çminimin e brezit ujor.
Duke i u referuar këtyre statistikave të frikshme për jetët njerëzore, që na sjell kolonel Alibali, rritet natyrshëm edhe konsiderata dhe mirënjohja ndaj jetës së këtij personalitetit, për kontributin e dhënë në pastrimin e territoreve te rrezikshme të vendit dhe ruajtjen e jetëve njerëzore, kontribut që ka vazhdimësi edhe në vitet e 80- ta të jetës së tij aktive.
Koloneli ka në proces botimi mjaft libra që u përkasin fushave të ndryshme, duke përfshirë minat, të ardhmen e Durrësit si qytet i perëndive me projekt ide mbi zhvillimin dhe promovimin turistik të tij si dhe prozë, poezi, dramaturgji, kinematografi.
Po në të gjitha linjat e krijimtarisë poezia mbetet element i pranishëm.
Një kurajë për t’u admiruar, pasi jo kushdo e ka këtë guxim për të shkuar në 80-vjetorin e jetës, duke punuar çdo ditë si në vitet e rinisë…
Duke shkruar dhe admiruar edhe poezi si ato të Nënë Terezës (koloneli ruan në shtëpi edhe një meshar të përdorur nga Nënë Tereza, dhuruar nënës së Besnikut nga e ëma e shenjtores).
ISMAIL KADARE PER BESNIK ALIBALIN
Ismail Kadare në parathënien e librit të Besnik Alibalit “ 50 VJET MBI MINA “, shkruan mes të tjerave:
“Miku im i vjetër, Besnik Alibali, ka mbledhur nga fletoret e tij kujtime, mbresa, dokumente, vëzhgime, trajtesa studimore, etj për ti botuar në këtë libër. Përvoja e tij e gjatë, gjysmëshekullore, veprimtaria e tij praktike e studimore, ngjarjet e ndodhura në këtë periudhë kohe, të gjitha me minat dhe armët, i ngjajnë një “udhëtimi eksplorues”, që bëjnë arkeologët për të nxjerrë nga nëntoka çka mbetur pa u dëmtuar, por që i shërben historisë, njeriut. Në themel të librit të z. Alibali, është dashuria. Dashuria për jetën, dashuria për njeriun, dashuria për kulturën. E kjo dashuri duhet mbrojtur. Minat e fshehura nën dhe, në cdo çast duan “ të pushkatojnë” këtë dashuri. Të vendosura shumë kohë më parë, e të harruara aty, ato vrasin të ardhmen e njeriut”.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





