DURRËS, 30 tetor 2014 –  Ceremonia e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Studimeve të Integruara në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, solli në vëmendje mundësinë e punësimit të të rinjve pasi marrin diplomën në xhep.

Më 29 tetor 2014, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Linditë Nikolla ishte e pranishme në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), Durrës, ku shprehu mbështetjen për vazhdimësinë e këtij programi, i cili mundëson që studenti të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me tregun e punës.

Studentët e diplomuar u përkasin dy programeve të ofruara nga FASTIP-i, “Menaxhimi i bankave” dhe  “Menaxhimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme”, programe, të cilat për pjesën teorike ofrojnë njohuritë e nevojshme mësimore në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit, ndërsa pranë kompanive private studentët praktikojnë bazat teorike.

Ministrja Nikolla tha, gjatë fjalës së saj përshëndetëse:

“Gjithë sistemi arsimor duhet të fokusohet tek arsimimi si aftësim drejt punësimit, si dhe te krijimi i mundësive për  realizim  të projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit:

Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, sfidës së zhvillimit të vendit, programi i Qeverisë e ka vënë fokusin në punësimin dhe zhvillimin cilësor të forcës së punës, në përputhje me vizionin dhe udhëzimet e Bashkimit Evropian, të strategjisë evropiane të punësimit 2020, si të dhe kërkesave për integrimin evropian të  Shqipërisë.

Reforma e arsimit të lartë do të mundësojë jo vetëm krijimin e hapësirave të nevojshme, por gjithashtu do të nxisë universitetet që të jenë në vijën e parë të stimulimit të politikëbërjes drejt fushave me rëndësi prioritare në zhvillimin e vendit.

Sfida jonë, si edhe në shumë vende të tjerë,  është cilësi në sistemin e arsimit dhe të edukimit, në mënyrë që të garantohet që rezultatet e të mësuarit të përkthehen në aftësi të cilat përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe nxisin rritjen ekonomike”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/