·        Një Volkswagen u ndesh me “përbindëshin” 1 200 tonësh, ku rruga e frenimit kërkon 700-1 00 metra

·        Kujdes në kryqëzimet trase-rrugë automobilistike: Ndal, sigurohu, kalo! 

DURRËS, 30 tetor 2014 – Edhe në diktaturë me trafik të rënduar hekurudhor, edhe në demokraci me trena të rrallë, shqiptarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë frikë nga “përbindëshat” metalikë mbi shina, saqë nuk respektojnë as tabelat paralajmëruese dhe bëjnë gara skëterre deri në marrëzi; më e keqja është kur të tilla veprime i bën dhe ndonjë polic, kolegët e të cilit mundohen ta fshehin faktin.

KOMUNIKATA ZYRTARE E BLUVE

Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njoftoi se më 28 tetor 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj G. K., banues në fshatin Dukagjin i Ri [komuna Kodër-Thumanë në rrethin e Krujës].

Policia e shtetit thotë se më 27 tetor 2014 rreth orës 22.20 [duhet 22,35] në kryqëzimin e kalesës hekurudhore me rrugën automobilistike në fshatin Bushnesh [po të komunës së Kodër-Thumanës], një  Volkswagen i drejtuar nga G. K.-ja, u përplas me trenin e mallrave Hani i Hotit-Elbasan me drejtues (mashinist) të lokomotivës [diesel të klasit T-669 ČKD me numër 1049], shtetasin D. H. banues në Shkodër.

[Treni e ka marrë zvarrë përreth 30 metra makinën.

Të plagosurit janë dërguar me autoambulancë drejt spitalit ushtarak, në gjendje të rëndë ndërsa treni ka qëndruar në vendngjarje për të kryer ekspertimin nga grupi hetimor].

Për pasojë, u aksidentua dhe, pas mjekimit, është larguar në banesë bashkëshortja e drejtuesit të  Volkswagen-it D. K.

Blutë thonë se materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Krujë për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

FSHEHJA

Por uniformat blu nuk përmendin në komunikatën për shtyp se autori i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, G. K., është punonjës policie në komisariatin e Krujës.

“Dyrrahu” mësoi se janë bërë ndërhyrje nga blu të Krujës, të cilët kanë kërkuar nga Inspektimi Hekurudhor (IH), në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për mbylljen e kësaj historie, meqë nuk pati viktima.

Ekspertët e z. Edmond Haxhinasto nuk kanë pranuar të modifikojnë ngjarjen, që “prodhoi” polici i z. Saimir Tahiri.

IH-ja ka vënë në dukje se në vendngjarje ka qenë inspektori i zonës bashkë me punonjësit e policisë së shtetit të Krujës (në plan të parë të fotos së 27 tetorit 2014 duket makina e policisë rrugore ngjitur me veturën e dëmtuar nga përplasja e lokomotivës nr. 1049).

Për hekurudhorët “shkaku i aksidentit ka qenë shkelja e Kodit Rrugor nga drejtuesi i mjetit”, gjë që detyroi dhe drejtorinë e policisë së shtetit të qarkut t’i “bindet” IH-së.

SHMANGJA E KATASTROFËS SË RËNDË

Sipas IH-së, aksidenti ka ndodhur më 27 tetor 2014, saktësisht në orën 22.35.

Ishte një tren mallrash Podgoricë-Elbasan, me 14 vagonë të ngarkuar me 840 tonë skrap, kurse pesha gjithsej e “përbindëshit” mbi shina arrinte në mbi 1 200 tonë.

Kjo masë e çeliktë, pasi ka parë në distancë të largët një veturë që ecte me shpejtësi të madhe drejt kalesës, në segmentin e linjës Gjorm-Budull, në kilometrin 69 e 800 metra, ka filluar të frenojë që në kilometrin 67 për të shmangur ndonjë aksident.

Informojmë lexuesit se rruga e frenimit për një tren të tillë me peshë mbi 1 200 tonë, me shpejtësi deri 40 km, arrin në 700-1 000 metra. 

Është çmenduri, që kur në mjet ke familjen tënde (bashkëshorten dhe dy fëmijë, gjithsej 4 veta) në makinë, të bësh garë me “përbindëshin” për t’ia “ngecur” në kalimin e kryqëzimit trase-rrugë automobilistike!

“NDAL, SIGUROHU, KALO”

Ndryshe nga sa është thënë në disa medie elektronike, se mbikalesa apo ish-postblloku nuk ka fushë-pamje, kalimi hekurudhor në Bushnesh (km 69+800), është i miratuar, por i paruajtur.

Domethënë, në këtë kryqëzimi, vërtet, nuk ka krahë postblloku, por janë vënë tabela paralajmëruese dhe kryqe nga të dy anët, me fushë pamjeje për këmbësorë dhe automjete, ku drejtuesi i mjetit, sipas Kodit Rrugor, para se të kapërcejë trasenë, duhet të ndalet, të sigurohet dhe pastaj të kalojë.

Nga ana tjetër, nëse personeli i trenit ndërkombëtar nuk do të kishte marrë masa profesionale frenimi gradual, mund të shkaktohej një katastrofë e rëndë, jo vetëm me katër viktima të veturës, por edhe dalje të trenit nga shinat, përmbysje vagonësh, pasi skrapi nxjerr probleme.

Nga ana tjetër, nuk ka pse bëhen insinuata apo trysni ndaj autoriteteve të hekurudhës nga autori i kësaj ngjarjeje, meqë shpëtoi kokën, i mbështetur dhe nga koleget e tij.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/