Nga Arlinda Çausholli

DURRËS, 30 tetor 2014–  Një nga dhuratat më të bukura që kam marrë gjatë fëmijërisë, kanë qenë një palë çizme me ngjyrë të ëmbël verdhashe, si të kanarinës. Dhurata vinte nga gjyshi im, të cilin atëherë e shihja shumë rrallë, por aq pak sa e pashë, ia mbajta mend gjatë shijen e hollë. M’i kishte zgjedhur që unë të mbrohesha nga shiu dhe të lëshohesha pa fre në krenarinë time, që ajo të ecte bashkë me to. Më kujtohet t’i kem pëlqyer shumë dhe i mbaja në parvazin e dritares që të mos i humbisja nga sytë.

Kishin vetëm një problem të vogël. Çizmet ishin të së njëjtës këmbë, të këmbës së djathtë më saktë. Kur hapa kutinë, nuk i dhashë fare rëndësi kësaj anomalie me idenë se problemi ishte tërësisht i kapërcyeshëm, por doli se nuk ishte krejt ashtu. E majta më jepte bezdi dhe megjithë shpengimin tim, këmbët më dukeshin shumë çuditshëm.

Kujtoj të kem vrapuar nëpër korridor të tërhiqja vëmendjen e të mëdhenjve për dhuratën, por nuk arrita. Hovin ma ndali nëna ime, qortimet e së cilës për veprimin tim të pamatur – nuk kisha mbushur 6 vjeç – vërshuan lumë. Më urdhëroi të mos thosha gjë, pasi nuk do të ishte mirënjohëse nga ana ime, krahasuar me mundimin dhe sasinë e dhuratave që ishin sjellë për të gjithë. U sprapsa. Më mbeti vetëm t’i kundroja nga afër.

Shpesh mendoja t’ia pëshpërisja gjyshit fshehtas ndodhinë, me shpresën se do m’u gjente një e majtë për së mbari – qoftë edhe me ngjyrë tjetër – por me frikën e keqardhjes që m’u ngul si gozhdë, sa herë u mata, aq herë e lashë. Madje kur më pyetën si më rrinin çizmet prej llastiku, përpiqesha të gjeja fjalë të gëzuara dhe të bindshme. Halli ma kishte zënë zemrën dhe sipas meje, ishte shumë i madh…

Sot them, po sikur të isha ndjerë e lirë dhe të flisja? Mbase tani nuk do të do isha besnike dhe e qartë ndaj parimit se sa e vyer është liria e individit. Shoqëria jonë është produkt i një heshtjeje të përgjithshme masive karakteriale, diktuar nga një sistem i vrazhdë prej shumë vitesh që luftoi liritë e vogla dhe propagandoi lirinë e madhe kolektive. Ndrydhjet e mendimeve, të ideve, të fjalëve dhe të vetë heshtjes e zvogëlojnë zhvillimin dhe e ngadalësojnë përparimin. Neve na duhet liria e vogël, liria e vogël qe prodhon të madhen, sepse ajo trashëgohet në breza ….ose me simbolin e fundëm… të ngrejmë nga një fluturake në qiellin e secilit prej nesh.

/Shqiptarja.com/