Besnik Alibali, një figurë poliedrike; kolonel, pedagog, shkrimtar, njeriu i”50 viteve mbi mina”, sociolog, aktivist në OJF, anëtar nderi i Shoqatës së Ushtarakëve Xhenierë në Pension, Rotarian.

DURRËS, 29 tetor 2014–  Sot, në Klubin e Artit “Sigal”,me rastin e 80-vjetorit të lindjes u promovuan 3 botimet e fundit të autorit: drama "Helena e Durrësit", skenari per film "Misionari i ringjalljes", novelat "Novelat e Shpirtit". Shkrimtari me origjinë shkodrane, i lindur në Gjirokastër vjen së fundmi para lexuesit, me një seri novelash që prekin thellësisht shpirtin njerëzor.Mosha shenjon këdo dhe gjithçka, por duart e Besnikut shkruajnë,  mendja e tij krijon, zemra e tij ndjen më shumë se kurrë, emocionet e tij gëlojnë dhe pushtojnë faqe të tëra që shfletohen me kuriozitet dhe interes.

Ai synon të ngulisë tek brezat e rinj të vërtetat e lëna në harresë. Besnik Alibali ushqen dashuri për njeriun e thjeshtë, e respekton të vërtetën dhe drejtësinë, solidarizohet me dhembjen e të pambrojturve, përbuz holokaustin. Ai u shfaq në veprën e tij si engjëll mbrojtës i hebrenjve, sepse këtu në Shqipëri, siç rrëfehet ai tek “Misionari i ringjalljes”, asnjë hebre nuk u cënua. Memoria popullore gjen vend dhe shpaloset lirisht e natyrshëm, përmes penës së autorit. Besniku i mençur beson tek shoqëria civile, beson në përkrahjen e humanizmit dhe të kulturës, e do Durrësin, vlerat e tij muzeale dhe gjallërimin e jetës artistike të qytetit. Dëshirat, perceptimet, ndjesitë e autorit shëmbëllejnë si thirrje nga tejkohësia. Emri  i tij, tashmë identifikohet si një humanist që ka ndikuar jetën tonë social-kulturore.

/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/