DURRËS, 29 tetor 2014–  Kryeministri Rama në praninë e krerëve të së majtës durrsake ( Kryebashkiakut Dako, prefektit Xhelilaj, Kryeqarkasit Mullaraj dhe deputetit Klosi) filloi sot në Durrës parafushatën elektorale. Në platformën e betontë përballë xhamisë së qytetit, Kryeministri Rama si të ishte vetë  Santa Klausi hapi thesin e miliona eurove dhurata për durrsakët. Me një operacion të mirëorganizuar të marëdhënieve me publikun Rama edhe kësaj rradhe ofroi atë, që di të bëjë më mirë: projekte jashtëzakonisht të bukura e mbresëlënëse nga këndvështrimi estetik me pak ose aspak impakt ekonomik.

Në fazën e parë të projekteve zhvillimore për Durrësin me kosto miliona euroshe, mbizotëronin projektet fasadë me me vlera të spikatura estetike. Rruga aktuale e plazhit e ndërtuar në kohën e kryebashkiakut Koka, do të rindërtohet e tëra duke u bërë shumë më e bukur embresëlënëse, por jo më e gjerë apo më e përshtatshme për kalimin e automjeteve. Përgjatë kësaj rruge do të ketë një korsi 7 kilometërshe vetëm për bicikleta. Ky është një aspekt tipik evropian për inkurajimin e mjeteve ekologjike të transportit si bicikletat, por pushuesit e plazhit të Durrsit në shumicën e tyre nuk janë turistë evropianë, por përfaqësues të turizmit patriotik, që nuk vijnë në Durrës për “pllazha”, vetëm sepse do kenë mundësinë të  udhëtojnë me bicikleta.

Projekti tjetër ishte rikualifikimi i mbikalimit te zona e Plepave. Me siguri, kur të mbarojë ky projekt do të jetë estetikisht i arrirë duke zëvendësuar romët, që thurin kashtore, kazanët e plehrave dhe kioskat me llamarina me beton, asfalt, ndriçues të formave e madhësive të ndryshme, mini lulishte etj etj, që do të jenë pa dyshim mjaft të bukura. Fatkeqësisht për “domatet turistët”, që janë shumica e plazhistëve të Durrësit ( bashkatdhetarë nga jashtë Shqipërisë” londineze”), kjo bukuri estetike nuk do të sjellë shtim numri turistësh apo shtim harxhimi lekësh në Durrës. Shkurt, ky projekt do jetë madhështor dhe kënaqësi për syrin, por pa ose me pak impakt ekonomik.

Projekti tjetër do jetë rikualifikimi i hyrjes së Durrësi te Ura e Dajlanit. Nga skicat kuptohej që plehrat, kioskat, barishtet, e kallamishtet, që të vrasin syrin sot do të zëvendësohen nga pamje piktoreske, që pa dyshim të shkaktojnë kënaqësi estetike. Impakti ekonomik, edhe në këtë rast do jetë afër zeros. Shfrytëzimi i zonës për park-lulishte çlodhëse për shkak të vendndodhjes së saj do të jetë shumë i vështirë për shumicën e durrsakëve. Pozitive e këtij projekti është mbjellja e një numri të madh,  pemësh të larta e dekorative, pra më pak beton dhe asfalt, duke përmirësuar kështu cilësinë e ajrit në qytetin e Durrësit. Projekti i Urës së Dajlanit përfshin edhe një stacion modern për autobuzët e linjave inter-qytetase. Rama këtu kopjon “Lulushin” e Bashkisë së Tiranës, që Stacionin e Trenit e degdisi te ai i ….së ëmës.  Impakti ekonomik pozitiv i projektit të fundit do të ndihet në xhepat e sipërmarrësve të linjave urbane, ndërsa do godasë xhepat e durrsakëve dhe pasagjerëve, që vijnë me autobuzë në Durrës, pikërisht atyre, që për arsye ekonomike nuk përdorin veturat private. Pra, në tërësi projekti do ketë vlera të larta estetike. Do ndikojë në një përmirësim modest të cilësisë së ajrit të qytetit; do shërbejë për çlodhjen e një numri të kufizuar durrsakësh, dhe do gërryejë xhepat e shtresave të paprivilegjuara, që përdorin transportin publik, jo veturën private, ose, ose  do t’u bëjë zbor duke i detyruar njerëzit të ecin mbi një kilometër për të arritur te stacioni i autobuzëve ndër-qytetas.

Sheshi “Liria”, që tashmë po rikonstruktohet midis debatesh të ashpra të shkatuara nga “bodigardët” e shatërvanit, do pësojë ndryshime të reja. Kryeministrit ish- piktor relativisht i suksesshëm nuk ia ka mbushur syrin projekti italian i lobuar nga ish-nënkryetari ibashkisë çela. Ai ka kërkuar ndihmën e Ilir Xhixhës djalit të piktorit veteran durrsak Sali Xhixhës, për të përmirësuar projektin italian. Kryeministri, gjithsesi nuk hyri në hollësi për kontributin e piktorit me përmasa evropiane Ilir Xhixhës në përmirësimin e fazës së dytë e të tretë të rivitalizimit të Sheshit Liria ( sheshi i shatërvanit të famshëm). Kurt të përfundojë sheshi, durrsakët do të arrijnë të zbulojnë ndryshimet e sugjeruara nga Xhixha junior, krahasuar me projektin e miratuar nga KKRT-ja e republikës vite më parë. Nuk ka informacione nëse këto ndryshime janë miratuar apo jo duke pasur parasysh këtu edhe amendimet e kryera më parë në Ligjin për urbanistikën ( shkrirja e KRT-ve).

Kryeministri nuk hyri në detaje të projektit për ngritjen e një miniamfiteatri shumë simpatik te vendi i quajtur Bërryli rrugës për në Currila. Ky miniamfiteatër, jo vetëm që do e kompletojë shëtitoren buzë detit, por edhe do cojë në rritjen e vlerës së pasurive të patundshme, apartamente e lokale të dy tre gratacielave klienteliste të ndërtuara në zonën aty pranë.

Në fazën e parë të Durrësit të Rilindur i vetmi projekt me ndikim të qartë pozitiv ekonomik është rruga paralele në ish-territorin e Portit të Durrësit. Kryeministri, me zgjuarsi theksoi dobitë e kësaj rruge në normalizimin e trafikut në qytet, veçanërisht gjatë pikut të sezonit veror dhe gjatë pushimeve dimërore. Kjo rrugë e devijuar në dy vende, nga dy qiellgërvishtëse të ngritura mbi trasenë e shinave të hekurudhës, do të shërbejë njëkohësisht për të rritur cmimin e e apartamenteve dhe lokaleve në këto objekte.

Në fazën e dytë të “hapjes së thesit” u premtuan edhe katër projekte, ndërtim apo rikonstruksion rrugësh në ish-kënetë. Këto projekte do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik pozitv, jo hjesht vlera zbukuruese-estetike. Le të shpresojmë, që projektet që detajoi dhe ato që i përmendi vetëm shkarazi Kryeministri Rama të bëhen realitet, para zgjedhjeve të ardhshme vendore për superbashkinë Durrës.

Nga ky spektakël i marrëdhënieve më publikun, që shpalosi Kryeministri Rama në Durrës, mund të nxjerrim dy konkluzion të sigurta. Rama do, që ta fitojë me patjetër superbashkinë Durrës dhe Kryebashkiaku Dako, të paktën deri tani duket, që e ka të siguruar nga Rama nominimin për herë të tretë në garën e vitit 2015.

Gjtë gjithë aktivitetit durrsak të rilindjes socialiste ra në sy mungesa e aleatëve strategjikë  integralisto-evropianë të Ilir Metës. Mungoi ministri durrsak Koka, mungoi deputeti i LSi-së për Qarkun e Durrësit, munguan drejtorë të rëndësishëm të LSI-së në qark. Aktiviteti u dominua fort nga binomi i pandarë Rama-Dako.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/