NGA MARK BRUNGA
DURRËS, 29 tetor 2014 – Piktori Sali Xhixha edhe pasi ka kaluar të 83 vitet e jetës së tij vazhdon të mbajë penelin në dorë.
Madje kushdo që i shkon si mik në shtëpi pa e lajmëruar, do ta gjejë në dhomën e gjumit duke pikturuar.
Ai aty ka instaluar kavaletën dhe vazhdon çdo ditë të punojë nga pak.
Kur e sheh me flokët si krifë e pashtruar edhe në këtë moshë dhe me një aparat dëgjimi në vesh të duket si Beethoven-i (1770-1827).
Që kompozon me penel në këtë rast.
Nisur nga talenti i fuqishëm ndonëse i pashkolluar, ish-drejtori i muzeut rajonal Edmond Agolli e krahason Sali Xhixhën me van Gogh-un (1853-1890).
TË PIKTUROSH 68 VJET RRESHT
Kavaleta pranë dhomës së gjumit të shtie në mendime…
Artisti 83-vjeçar ndjek rrjedhën e jetës dhe të artit duke mbajtur gjallë jeta artin dhe arti jetën.
Një simbiozë fantastike dhe mbase e pashembullt për ditët tona.
Sali Xhixha është piktori më jetëgjatë në Durrës si moshë por është gjithashtu edhe piktori më jetëgjatë për sa i përket periudhës si piktor: rreth 68 vite.
Ka filluar që në moshën shtatëvjeçare të merret me gdhendje dhe pikturë dhe vazhdon edhe sot e gjithë ditën të prodhojë vepra artistike.
Numëron rreth 1 200 piktura në vaj, dhjetëra në teknika të tjera; po kaq mund të jenë të shpërndara edhe nëpër shtëpitë e miqve të vet, të dhuruara bujarisht.
Në ekspozitën personale të organizuar në Durrës me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, ish-drejtori i muzeut rajonal Edmond Agolli, tha se piktori Sali Xhixha është një Van Gogh për nga mënyra se si e filloi pikturimin dhe se si u bë një nga piktoret në zë të Durrësit, duke krijuar me mijëra vepra të ndryshme artistike, pa pasur arsim.
VETËM 15 VJEÇ, KOMPOZIMI I PARË ME TEMË NGA LUFTA
Kur dëgjova këtë krahasim, m’u kujtua një pikturë e hershme e Saliut, dhuruar një miku tim, që paraqet rrugën e vjetër të Kodër Vilës, me një harlisje pranverore durrsake ala Gogh-iane, aspak e ngjashme me të qytetit francez Arles.
I lindur dhe rritur në një familje të varfër, ai u detyrua që të punojë në fabrike që në moshën shtatëvjeçare.
Periudha e luftës la gjurmë të thella në ndërgjegjen e tij.
Dhe ishte vetëm 15 vjeç kur realizoi dhe pikturën e parë me temë nga lufta.
Është tabloja me përmasa të mëdha “Demonstrata e ë prillit në Durrës”.
E para që realizohej në këtë qytet pas luftës.
E para e realizuar në vend që dha dimensionet e mëdha të luftës në telajo.
Dhe piktura e parë që shkaktoi konflikt mes artistëve të Tiranës dhe Durrësit për ta mbajtur.
Me urdhër të Ministrisë së Arsimit u vendos fillimisht në Tiranë.
Por ka qenë këmbëngulja e madhe e drejtorit të muzeut të Durrësit Vangjel Toçi (1920-1999), sipas Xhixhës, që bëri të munduar pas këtij konflikti institucional të asaj periudhe që piktura të rikthehej në “vendlindje” dhe me pas ajo u vendos në sallat e pritjes së komitetit të PPSH të rrethit të Durrësit.
Sot ajo është pjesë e fondit të Galerisë së Artit të këtij qyteti.
HAPAT E PARË
Saliu kishte të atin gdhendës djepesh.
Fëmija kureshtar e ndiqte me pasion si gdhendjen ashtu edhe ngjyrosjen e tyre.
Dhe i vogël provonte të gdhendte diçka me një ëndërr fëmijërore që nuk i kalonte mbase kufijtë e punës së babait të vet, zbukuruesit të shtretërve të jetës ku do të përkundeshin ëndrrat e të ardhmes së gjeneratës së re të vendit.
Dhe kësaj të ardhmeje, piktori do t’i jepte ngjyrat më të bukura të artit.
Ndihmë të madhe i ka dhënë edhe një edukatore kopshti, që ndodhej në afërsi të xhamisë së qytetit.
Xhixha kujton:
“Ishte një mësuese me mbiemrin Bici që më donte shumë. Ajo kishte mbaruar shkollën në Francë dhe pikturonte plot pasion. Më mbante pranë vetes dhe nga ajo mësova shumë. Kishte qenë vetë piktore dhe unë i a përthithja sekretet e ngjyrave. Me mendjen e një fëmije ndërthurja vizat e ornamenteve popullore që gdhendte im atë duke i përdorur si skeletin e tablove që ëndërroja të bëja me artin e përzierjes së ngjyrave kur të rritesha si mësuesja ime e mahnitshme… Kam qenë shtatë vjeç kur hyra në pune. Një ditë më pa pronari duke pikturuar. Po bëja kalanë e qytetit. “Çfarë bën more djalë?”, më pyeti. Dhe unë i thashë se po pikturoja. Ai u habit se si mund të bënte një pikturë të tillë një fëmijë. Dhe që atë ditë me mori nga cigaret dhe më çoi në repartin e dizajnimit. Fillova të bëja piktura të paketave”.
SI GOYA
Në tablonë “Demonstrata e ë prillit në Durrës” Saliu ka paraqitur heronjtë e rezistencës durrsake, pasi i njihte mirë dhe kishte punuar me ta në fabrikën e cigareve “STAMLES”, çerdhe aktive e rezistencës antifashiste.
Po dhe në demonstratë ai ka marrë pjesë, ndonëse fëmijë.
Në kompozim ka vendosur edhe veten në atë pozicion që ka qenë realisht.
Po e ka realizuar pak më të rritur veten dhe pak si në hije, si vepronte në tablotë e veta dikur Francisko Goya (1746-1828).
Ishte shumë i ri për të thënë se autodidakti gjenial e kishte marre këtë metodë nga Goya, por mbase i duhet lënë intuitës gjeniale që e shoqëroi gjatë gjithë jetës autodidaktin e palodhur, kjo zgjidhje artistike e kompozimit të veçantë.
Më ë prill të vitit 1942 u zhvillua në Durrës demonstrata e parë antifashiste, ku u vra dëshmori Sotir Noka (1922-1942), ngjarje që e ka parë nga afër dhe ka lënë mbresa në shpirtin e artistit vogëlush. Është tabloja e tij e parë, për demonstratën e parë ku ka rënë edhe dëshmori i parë.
Tregon Saliu:
“Atje njoha shumë prej luftëtarëve që nuk janë më,. Shumë prej tyre më kanë mbetur në mendje: Telat Noga (1914-1945), Maliq Muço etj. Më ka ardhur keq që u shemb godina e NISH Cigares. Ka qenë themel i lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare në Durrës”.
Për tablonë e demonstratës së parë, të ë prillit 1942, Xhixha ka punuar rreth 2 muaj, duke u udhëhequr nga pasioni dhe intuita e fortë artistike.
“SHERRI” MIDIS TIRANËS DHE DURRËSIT
Pas përfundimit dhe ekspozimit në Durrës, ai kujton se si në vitin 1947 vjen një komision nga Tirana i kryesuar nga Odhise Paskali (1903-1985), me Kel Kodhelin (1918-2006), Abdurrahim Buzën (1905-1987) dhe Nexhmedin Zajmin (1916-1991); anëtar i këtij komisioni ishte edhe skulptori durrsak Sabri Tuçi (1916-1992).
Ata vlerësuan tablonë e demonstratës dhe vlerësuan mes të tjerave faktin që asnjë nga personazhet e shumta të saj nuk kishte ngjashmëri me ndonjë tjetër”
“Janë të gjithë të ndryshëm dhe shprehin psikologji të ndryshme dhe pamjet po me ngjyra të ndryshme”, konkluduan ata, sipas Xhixhës.
Tabloja u ble nga Lidhja e Shkrimtarëve të Tiranës, por ndërhyri Vangjel Toçi dhe e ktheu në Durrës, duke u deklaruar instancave të larta partiake dhe shtetërore se vepra ka vlera të rralla për Durrësin dhe historinë e tij.
TË NJOHËSH PERSONALISHT HERONJTË E VEPRAVE
Xhixha ishte i vogël kur heronjtë e tablove të tij i njohu nga afër.
Më pas ranë për liri: “Atentatori Vasil Laçi”, “Met Hasa”, “Kajo Karafili” etj.
Ata luftuan dhe mbeten të mëdhenj në historinë e qytetit dhe të vendit.
Por ai e ruajti të freskët gjithnjë dashurinë shpirtërore për ta dhe i ringjalli në telajon e tij, duke u dhënë jetë dhe sjellë para bashkëqytetarëve, siç ishin kur i njohu, të rinj, e tashmë të pavdekshëm.
Vetë piktori ka marre shkëlqim edhe nga lavdia e tyre duke qëndruar në të njëjtat lartësi respekti për punën e bërë ndër vite.
NOSTALGJI PËR RRUGICAT E VJETRA TË QYTETIT
“Drita ngjyrë dhe ngjyra dritë” kështu u titullua ekspozita personale e Xhixhës, e organizuar 3 vite më parë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Hapja e sajë kishte dy qëllime në vetvete: autori i saj mbushte 80 vjeç, por njëkohësisht mbusheshin 60 vjet që nga koha, kur ai kishte nisur krijimtarinë e tij artistike.
Jeta e Sali Xhixhës, theksuan në takim pjesëmarrësit, është një jetë kushtuar artit, një jetë e karakterizuar nga pasioni i madh për të bukurën e për qytetin.
Në pamundësi për të vazhduar shkollë s’u dekurajua, por punoi me pasion e vullnet të madh dhe arriti majat, për arsye se ai e kishte të lindur talentin për të pikturuar.
Megjithëse, gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk mori asnjëherë leksione të vërteta pikture, tablotë e tij përçojnë një ndjesi të ngrohtë, një nostalgji të lehtë për rrugicat e vjetra të qytetit, për lagjet e tij karakteristike, për momentet e rëndësishme të historisë së tij.
NGJYRAT E FORTA
Durrësi, në pikturat e Sali Xhixhës shfaqet në të gjitha dimensionet e tij, me rrugët, njerëzit, detin, portin, sektorët e punës.
Ato tregojnë artistikisht edhe dashurinë e fortë që e ka lidhur gjithmonë me vendlindjen e tij, dashuri që e tregoi me shkrirjen me bojërat e vajit dhe kretën (argjilën), duke i dhënë jetë një qyteti plot dritë.
Veç figurave historike si Skënderbeu, Isa Boletini etj, Xhixha ka sjellë me mjaft realizëm e vërtetësi edhe portretet e njerëzve të thjeshtë, punëtorëve apo partizanëve.
Në të gjitha pikturat e Xhixhës dominojnë ngjyrat e forta që të ndërthurura këndshëm me njëra tjetrën i japin më shumë vitalitet jo vetëm tablosë, por edhe personazhit apo peizazhit.
Gjatë të gjithë karrierës së gjatë artistike Xhixha ka hapur katër ekspozita vetjake nga viti 1947-1982, duke marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale dhe në shumë ekspozita kombëtare.
Ai është dekoruar tri herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dhe nga Ministria e Arsimit e Kulturës me fletë nderi në art.
RRRETH PIKTURE DHE REPARTE PRODHIMESH ARTISTIKE
Për shumë vite me radhë ishte një nga drejtuesit e rrethit artistik të shtëpisë së pionierit dhe atij të sektorit të pikturës, ku nxori shumë talente të reja.
Sali Xhixha është një nga pionierët e pikturës në Durrës dhe për shumë vite ka qenë piktor dekorator i qytetit.
Xhixhës i njihet merita se hapi të parin repart artistik të qytetit në vitin 1949, ndërkohë që 10 vjet më vonë u hap një tjetër repart po me iniciativën e tij.
Të njëjtën gjë ai bëri dhe në Kavajë, ku në vitin 1973, u hap i pari repart artistik i qytetit.
Për ata që e kanë ndjekur vit pas viti krijimtarinë e Sali Xhixhës, që janë njohur nga afër me shumë nga punët e tij, ai mbetet një shkollë më vete në pikturë.
“MIRËNJOHJA E QYTETIT”
Në 80-vjetorin e lindjes, piktori i njohur durrsak, Sali Xhixha u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
Drejtori i sektorit të kulturës në bashkinë e qytetit, Adrian Gurra, theksoi:
“Titulli që i akordohet Xhixhës është një vlerësim për kontributin e dhënë në 60 vjet krijimtari, për vlerat dhe dimensionin e artit të tij përmes të cilit vazhdon të na transmetojë edhe sot mesazhe dashurie për njerëzit dhe qytetin”.
Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka falënderuar piktorin e njohur për kontributin e madh që ai ka dhënë për artin dhe njëkohësisht për qytetin ku u lind e u rrit:
“Artistë të këtij kalibri do të nderohen gjithmonë nga qytetarët e Durrësit për shkak të kontributit që ata kanë dhënë e vazhdojnë të japin për qytetin”.
NË VEND TË EPILOGUT
Nga djepet dhe ngjyrat e Durrësit te sheshet e Milanos dhe Nju Jorkut
Me këto shënime modeste u përpoqëm që të japim diçka interesante për lexuesin nga jeta e një piktori që nuk vrapoi pas famës, por e përkundi karrierën e vet që nga vizatimet e mureve të kalasë deri te piktorët e shquar durrsakë që i dha Durrësit dhe sot janë emra të mëdhenj në biografinë e artit tonë kombëtar.
Po i dha gjithashtu popullit dhe artit botëror të birin, Helidon Xhixhën.
Një sagë familjare piktorësh që e nisi udhëtimin nga arti i djepeve të babait të Saliut, te ngjyrat e Durrësit plot diell e kaltërsi po të Saliut dhe arriti me Helidonin te skulpturat gjigante metalike të shesheve të Milanos e të Nju Jorkut, që përbëjnë tashmë një artileri të rëndë të artit modern botëror…
/red. th. m. për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/





