DURRËS, 28 tetor 2014 – Kryeministri Edi Rama ka bërë dy inspektime, më 28 tetor 2014, në bashkitë e qarkut të Durrësit, Fushë Krujë dhe Krujë, për të parë në vend punimet për rijetësimin e qendrave urbane.
TË KRIJOJMË SHPRESË DHE ENERGJI POZITIVE
Në Fushë Krujë, po punohet për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit.
Për vetë vendndodhjen e saj në kryqëzimin e superstradës Tiranë-Shkodër me superstradën Vorë-Fushë Krujë, ky bosht ka një rëndësi jo vetëm për t’i dhënë Fushë-Krujës një hyrje urbane moderne deri në qendër të saj, por edhe si bosht i rëndësishëm i rrjetit të rrugëve kombëtare.
Rruga është projektuar me gjerësi deri në 13 m, me trafikndarëse dhe trotuare në të dyja anët e saj, çka do t’i japin frymëmarrje lëvizjes në këtë aks me fluks të lartë qarkullimi.
Projekti parashikon dhe mbjelljen e drurëve dekorativë në të dy krahët e saj.
Kryetari i bashkisë Gjon Bardhi e vlerësoi si projekt me ndikim të madh jo vetëm për zhvillimin e Fushë Krujës, por edhe për rritjen e turizmit në Krujë:
“Me këta parametra që ka nisur rruga dhe mendoj që do të përfundojë brenda fillimit të pranverës do të jetë një pamje tjetër për Fushë Krujën”.
Krybashkiaku Bardhi kërkoi mbështetjen e Qeverisë edhe për projekte të tjera të Bashkisë për rigjallërimin urban të qytetit.
Kryeministri Rama theksoi:
“Ta bëjmë me maksimumin e standardeve këtë projekt. Të realizojmë me maksimumin e standardeve shkollën e re, të sjellim një gjelbërim urban të denjë për një qytet, të bëjmë një rigjenerim të plotë gjithë teksturës së godinave, në mënyrë që të rritet vlera e apartamenteve, të rritet vlera e dyqaneve, të rritet ekonomia. Sidomos biznesi i vogël, këtu mund të ketë shumë më tepër hapësirë, edhe vetëpunësimi. Mjafton që të krijojmë rrugën e shpresës dhe energjisë pozitive që gjërat do shkojnë duke lëvizur vit pas viti, me shumë më tepër shpejtësi. Kjo është e rëndësishme”.
Në Fushë-Krujë kanë nisur punimet edhe për gjimnazin, që, sipas Kryetarit të Bashkisë, do të jetë me standarde bashkëkohore, por edhe me një palestër që sot u mungon të rinjve.
Duke shfrytëzuar takimin me qytetarë të Fushë Krujës, Kryeministri bëri thirrje edhe një herë për domosdoshmërinë e pagimit të energjisë elektrike të konsumuar.
KRUJA, STATUS I VEÇANTË
Në qytetin e Krujës ka nisur rikonstruksioni i rrugës që lidh qendrën e qytetit me 3 lagjet e vjetra të këtij qyteti drejt Kalasë.
Rruga shërben për të lidhur gjithashtu edhe 2 fshatra që ndodhen afër Krujës.
Projekti parashikon zgjerimin e rrugës dhe pajisjen me sistemin e ndriçimit përgjatë saj deri në Kala, çka do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen edhe të autobusëve turistikë.
Shefi i Ekzekutivit ka parë nga afër edhe punimet që po kryhen për rivitalizimin e pazarit të vjetër të Krujës, projekt që po kryhet me Fondin Shqiptaro-Amerikan Për Zhvillim.
Përfaqësues të bashkisë së Krujës informuan se do të kryhet restaurimi i plotë i pazarit, duke filluar me njësimin e çative dhe të fasadave, ngritjen e një sistemi zjarrfikës, pasi pazari është të djegur dy herë në periudha të ndryshme, si dhe sistemin e internetit, një element i munguar për bizneset aty dhe për vizitorët.
“Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm. Për 3 muaj ka pasur 45 mijë vizitorë”, tha – bashkia.
Kreu i Qeverisë u shpreh:
“Do vazhdojmë një zinxhir projektesh këtu. Kuptohet kjo do varet shumë edhe nga ju, sepse jeni ju që duhet të na propozoni. Por duam që, tani që e vumë në mbrojtje, Krujës t’i japim realisht një status të veçantë jo me fjalë, por një status të veçantë edhe me vëmendje, sepse është një nga pikat që është dëmtuar më shumë dhe që ka nevojë për më shumë kurim, sepse është edhe një nga pikat që sjell më shumë të ardhura dhe është një pikë ku s’duhet të ketë papunësi. Normalisht duhet të ndërtojmë një projekt që të jetë disavjeçar, një program disavjeçar zhvillimi dhe ju duhet të na jepni orientimet kryesore, në mënyrë që ne pastaj të vazhdojmë me pjesën tonë. Por mbështetjen do e keni absolute, sepse e kemi prioritet Krujën. E kemi shumë të rëndësishme.”
/përgatiti: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





