DURRËS, 28 tetor 2014 –  Dita e parë e aksionit kombëtar kundër vjedhjes së dritave nisi në Durrës me identifikimin e një lavazhi që kishte lidhje të paligjshme, ndaj dhe pronari i tij u kap dhe u ndalua në flagrancë me pompë, kompresor etj. që punonin me korrent, për këtë të fundit nuk paguhej lekë.

Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit njoftoi se më 28 tetor 2014 rreth orës 14.00, shërbimet e komisariatit të policisë së Durrësit, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE), pas kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 18, identifikuan një lavazh automjetesh, që furnizohej me energji elektrike në mënyrë të kundërligjshme.  

Blutë thanë se ndaj administratorit të lavazhit Emiljano Luku, lindur dhe banues në lagjen nr. 18, te parafabrikatet, u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike, pasi doli se kishte bërë lidhje të paligjshme të rrjetit në impiantin e larjes së makinave.

Në vendngjarje u gjendën një pompë që furnizonte depozitën me ujë, një kompresor, një pompë lavazhi, dy fshesa, depozita shkume dhe uji me kapacitet 3 mijë litra si dhe të gjitha pajisjet e tjera të punës.

Grupi hetimor, që shkoi në vendngjarje, kreu veprimet e para hetimore si dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe u pyet si person nën hetim Emiljano Luku.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/