DURRËS, 28 tetor 2014–  Federata Shqiptare e Futbollit është ende në pritje të argumentimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, në bazë të së cilit Shqipëria e humbet ndeshjen me Serbinë në tavolinë si dhe gjobitet me 100 mijë euro, për të marrë më pas hapat e nevojshëm për plotësimin e dosjes që do t’i paraqitet Komisionit të Apelit. Artan Hajdari, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF si dhe përfaqësuesi kryesor i studios ligjore që mbron interesat e qeverisë se futbollit në vend, sqaron se vetëm pas zbardhjes së argumentimit të vendimit do të ndërtohet edhe strategjia e mbrojtjes në Apel. “Ditën e premte me anë të studios sonë të avokatisë me qendër në Gjenevë, kemi dërguar kërkesën qoftë me Email e qoftë me faks. Presim që të vijë vendimi i arsyetuar. Mendoj që provat që kemi paraqitur janë shumë të forta, megjithatë në varësi të argumentave që do të ketë në vendimin e arsyetuar, do të hartojmë strategjinë tonë. Ne në cdo rast duam tre pikët në tavolinë”. Pavarësisht paragjykimeve që ekzistojnë për vendimin që mund të marrë Apeli, si një komision pranë UEFA-s, Hajdari sqaron se ka më shumë hapësira që në këtë institucion, Shqipëria të marrë fitoren në tavolinë. “Komisioni i Apelit mund të them që mund të ketë ndikim, por unë nuk dua të besoj sepse janë profesionistë ata që punojnë atje. Duke qenë se është një shkallë e dytë që bën edhe dëgjimin e palëve, mendoj se ajo që quhet indipendencë të rritet dhe vendimi të jetë sa më afër të vërtetës”. Në rast të një vendimi negativ edhe nga Apeli, Hajdari nuk e vë në dyshim ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. “Ne e kemi artikuluar se beteja jonë ligjore do të vijojë deri në KAS”. Për sa u përket ndikimit të mundshëm të lobimit politik, Hajdari dha këtë koment. “Vendimet juridike duhet të merren larg ndikimit politik. Gjithsesi unë mendoj se FSHF ka bërë gjithcka edhe përsa i përket lobingut, duke qenë se cështja mori ngjyra politike”.