DURRËS, 28 tetor 2014– Teuta po përgatitet për ndeshjen e radhës. "Djemtë e detit" do të presin Flamurtarin në "Niko Dovana" ditëne  mërkurë. Skuadra durrsake pritet të jetë e kompletuar në derbin bregdetar, pasi rikthehen Peposhi, R. Hoxha, Krasniqi, i cili luajti me Tiranën po ishte i dëmtuar dhe me shumë gjasa edhe Shabani. Në këtë përballje skuadra është e dënuar me fitore, pasi me humbjet e fundit situata është kritike. Por problematik mbetet sulmi i Teutës që nuk shënon prej disa ndeshjesh. Që nga ndeshja me Elbasanin, në të cilën Pepa realizoi një dopietë, sulmuesit nuk kanë shënuar më. Reparti i ofensivës numëron vetëm këta dy gola të Pepës përgjatë gjithë fazës së parë të kampionatit, ku janë zhvilluar nëntë ndeshje, ndërsa golat e tjerë janë realizuar nga mesfushorët dhe mbrojtësit e skuadrës durrsake. Kësisoj sulmi është në qendër të kritikave, pasi detyra e çdo sulmuesi është të gjej rrugën e rrjetës dhe nuk ka përgjegjësi për të krijuar volum loje, apo të mbrojë. Në radhët e skuadrës janë katër sulmues të mirëfilltë, Pepa, Rafael, Mile dhe Hyseni. Rafael  i cili erdhi nga Partizani, ndonëse ka luajtur si titullar për pjesën më të madhe të fazës së parë, ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Braziliani ka qenë totalisht në hije dhe shumë i kollajt për t'u mbuluar nga mbrojtësit kundërshtar, të cilët, madje, nuk e kanë lejuar as t'i afrohet zonës. Rafael stonoi edhe në përballjen e fundit me Tiranën, ku përveç asisit të dhënë për Koreshin, ishte totalisht në hije. Ndoshta nuk është faji i tij, pasi luan i vetëm në sulëm dhe mbulohet rreptësisht nga mbrojtja kundërshtare. Pepa nuk e nisi mirë kampionatin, madje problemin e golit e kishte të mbartur që prej një kohe të gjatë kur luante për Flamurtarin. U duk sikur u zhbllokua me dopietën që shënoi në Peqin kundra Elbasanit, por u rikthye sërish në identitet dhe për pasojë përfundoi në pankinë, duke ia lënë vendin e titullarit brazilianit Rafael. Mile nuk ka luajtur asnjë ndeshje në kampionat. Mile, u aktivizua si zvendësues në përballjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë kundra Beslidhjes në "Niko Dovana". Sulmuesi nuk përfshihet as në 18-she. Lojtari shprehet se ndihet mirë fizikisht, por ndoshta par arsye teknike Lika ka preferuar t'i besoj Rafaelit dhe Pepës. Hyseni, sulmuesi i ri, nuk ka shumë përgjegjësi në mosfuksionimin e repartit të sulmit, pasi nuk shikohet si alternative për të luajtur në kampionat. Duke parë edhe konkurencën, Hyseni krahas talentit dhe potencës që zotëron, do t'i duhet pak kohë për të marë përsipër përgjegjësit.