Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 27 tetor 2014 – Fill pas takimit, më 17 tetor 2014, me një delegacion të ndërmarrjes publike të Infrastrukturës së Hekurudhës së Maqedonisë, i kryesuar nga drejtori shqiptar z. Irfan Asani, në drejtorinë e përgjithshme të ndërmarrjes  Hekurudha Shqiptare (HSH) sha, ishin bërë “tym” (në prani të medieve vendore, ku ishte i pranishëm dhe “Dyrrah”-u, shumë gjëra nuk u thanë, por bisedimet vazhduan pastaj kokë-më kokë).

Arsyeja kishte të bënte braktisjen që u është bërë shinave shqiptare si nga KE-ja, ashtu dhe nga qeveritë shqiptare, për më tepër që edhe lidhjen ndërkufitare Lin (Shqipëri)-Kërçovë (Maqedoni) mund ta përdorë Greqia, që ka lobuar pro… Shkupit në Bruksel, ndonëse kanë sherr të zgjatur për emrin.

DY DITË PARA MBËRRITJES NË DURRËS

Dy ditë më parë se të vinte në Durrës, dhe të bisedonte me krerët e HSH sha, më 15 tetor 2014, z. Irfan Asani ka drejtuar në Shkup konferencën për transport të mallrave të posaçme e cila organizohet nga UIC-i (frëngjisht: Union internationale des chemins de fer – Unioni ndërkombëtar i hekurudhave).

Z. Asani informoi ndërkombëtarët mbi investimet në Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura-Shkup me vlerë 587 milionë euro dhe zbatohet me mbështetjen e qeverisë së Maqedonisë, BERZH-it dhe IPA programi i Bashkimit Evropian (si remonti i pjesës hekurudhore Nogaevci-Negotinë; ndërtim dhe rindërtim i pjesës hekurudhore Manastir-Kremenicë; rikonstruksioni i stacionit hekurudhor në Shkup; rikonstruksioni i 10 stacioneve hekurudhore në Korridorin 10 dhe 10d;  zbatimi i sistemeve GSMR dhe ETCS; ndërtimi i rrjetit hekurudhor drejt Bullgarisë në tre faza; ndërtimi i rrjetit hekurudhor drejt Shqipërisë).    

TRI DITË PARA MBËRRITJES NË DURRËS

Tri ditë para mbërritjes në Durrës, më 14 tetor 2014, z. Asani nënshkroi marrëveshjen për përpunimin e projektit për hekurudhën Kërçovë-Lin me konsorciumin e kompanisë spanjolle "Tipsa" dhe franceze “Lui Berzhe” (Louis Berger).

Hartimi i projektit do të përfundojë për 22 muaj, informoi z. Asani.

Në fazën e parë për infrastrukturë do të bëhen shpronësime tokas, ndërsa do të fillojë edhe procedura për publikimin e thirrjes për kompanitë e interesuara për pjesëmarrje në aktivitetet e ndërtimit.

Për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-Lin, me gjatësi rreth 60 kilometra, sipas vlerësimeve fillestare të institucioneve kompetente, duhen rreth 350 milionë euro, ndërsa përpunimi i projekteve, sipas Asanit, duhet të japë shumën e saktë të investimit.

3 MUAJ PARA MBËRRITJES NË DURRËS

3 muaj para se të vinte në Durrës, më 17 korrik 2014, z. Asani ishte në Athinë, ku u ra dakord të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi, pas një pauze 25-vjeçare, midis hekurudhave greke dhe maqedonase, midis drejtorëve të të dy kompanive, Irfan Asani dhe Panajotis Teofanopulos.

Të dy drejtorët mes tjerash diskutuan për ngritjen e një stacion të përbashkët i cili do të jetë dorëzim-pranimi i trenit, është analizuar edhe për riaktivizimin e trenit të udhëtarëve deri në Selanik, për të cilin duhet të analizohen të gjitha detajet.

Drejtori i Hekurudhave greke  Panajotis Teofanopulos i tha z. Irafn Asani:

“Takimi midis udhëheqjes së dy kompanive është historik dhe bashkëpunimi ndërmjet hekurudhave është i rëndësishëm që të kemi një hekurudhë më të mirë dhe më të sigurt.

Duhet të bashkëpunojmë sepse është e vetmja mënyrë që ne të kemi një hekurudhë më të sigurt, më të mirë dhe më të lirë. Të gjitha linjat duhet të jenë të lidhura dhe të kenë standarde të barabarta. Nuk bëhet fjalë rreth hekurudhave maqedonase, serbe apo greke, por si një tërësi, që duhet të ketë transferim të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave. Kur një tren shkon nga Athina dhe do të mbërrijë në Gjermani, atëherë treni nuk është vetëm i Greqisë, por i të gjitha shteteve në të cilat kalon”.

Z. Asani tha:

“Trafiku hekurudhor në Korridorin 10 është zvogëluar  për tre herë e gjysmë në krahasim me periudhën para krizës ekonomike, dhe një nga arsyet që bizneset evropiane gjithnjë janë duke e anashkaluar Maqedoninë, është infrastruktura e dobët hekurudhore.

Ne kishim 28 pika të zeza ku kishim lëvizje të trenave në mënyrë të ngadalshme, konkretisht ata udhëtonin me shpejtësi prej 20 kilometra në orë. Ne gjithashtu kemi edhe probleme të tjera ku vendet që tashmë janë pjesë e BE-së si Bullgaria dhe Greqia nuk i kanë ato, kemi mbajtje të mallrave për kontrolle doganore dhe policore ku në situata të caktuara zgjat me orë të tëra”.

“SHUMË KOMPANI GREKE KANË NGRITUR BIZNESE NË MAQEDONI”

Ljupço Balkovski, ish-ministër i transportit i Maqedonisë komentoi më vonë:

“Për Maqedoninë, një hekurudhë që lidh me Selanikun, do të thotë kontakt i tërthortë me tregun evropian, sepse porti i Selanikut është pranë me vendin tonë. Kjo do të na lejojë më shumë importe e eksporte. Rregullimi i marrëdhënieve të organizatave të hekurudhave ishte një hap i duhur pasi rigjallëronte infrastrukturën hekurudhore anembanë rajonit. Transporti hekurudhor është mjeti numër një i transportit i Evropës e vendet po investojnë mjaft në të. Është mirë që e tillë marrëveshje të zbatohet me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë e Bullgarinë”.

Ministri i transportit i Maqedonisë z. Mile Janakievski tha:

“Kjo marrëveshje do të heqë pikat 'e errëta,' domethënë, vendet ku trenat lëvizin më ngadalë përgjatë korridorit të transportit Nr. 10 [veri-jug]… Rindërtimi i hekurudhës e ndërtimi i veprimtarive do të lejojë një shpejtësi mesatare prej 100 deri 120 km për orë. Kjo do të thotë që mallrat kryesisht nga porti i Selanikut në fabrikat, do të udhëtojnë shumë më shpejt”.

Anastas Durovski, profesor i financave publike në Universitetin Shtetëror në Manastir, komentoi:

“Marrëveshjet e hekurudhave janë nënshkruar apo modifikuar zakonisht brenda periudhave të shkurtra të kohës, por klima politike nuk e lejoi këtë më parë. Por kjo marrëveshje do të lehtësojë padyshim tregtinë, duke ditur se shumë shpesh përdorim portin e Selanikut e shumë kompani greke kanë ngritur biznese në Maqedoni”.

NGA GUMENICA NË SELANIK E TURQI

Në maj 2014 shtypi i huaj njoftonte se BE-ja investoi rreth 30 milionë euro në pjesën Manastir-Kremenicë të hekurudhës maqedonase nëpërmjet fondeve të para-pranimit, që do të rivendosin lidhjen me Greqinë nëpërmjet Manastirit.

BE-ja tha gjithashtu se do të ngrejë një projekt për të kompletuar hekurudhën nga Kriva Palanka në kufirin Maqedoni-Bullgari dhe do të financojë ndërtimin e pjesës 31 kilometra nga Kumanova në Bjelakovce në korridorin e transportit 8 Lindje-Perëndim.

Bullgaria po përdor tashmë fondet e BE për të kompletuar pjesën 2 kilometra të hekurudhës në kufirin maqedonas.

Hekurudha Kremenicë-Manastir nuk ka funksionuar për 30 vjet dhe pasi ajo do të shtrijë një lidhje me një vend anëtar të BE, rindërtimi i saj do të ketë një përfitim të madh, duke rritur fluksin e njerëzve, mallrave dhe kapitalit.

Zyrtarët thanë se puna do të nisë në fund të këtij viti dhe do të kompletohet në 18 muaj.

Dragan Simonovski, zëdhënës në ministrinë e transportit dhe komunikacionit të Maqedonisë tha:

“Kjo këmbë e korridorit 10 do të bëhet një korridor operacional pan-europian, sepse do të jetë një shtesë e korridorit 4 pan-europian që lidh Greqinë me Turqinë, që përfundon në portin e Gumenicës”,.

BE tha se përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore do të mbështesë lidhjet me Bashkimin.

ERGOSE, një degë e Organizatës Hekurudhore Helenike, tha se Greqia ka një program investimi hekurudhor 2004-2020 që është bashkëfinancuar nga BE-ja:

“Plani nga Maqedonia, fqinji i Greqisë, për të përtëritur infrastrukturën e vet hekurudhore nga Manastiri në Kremenicë / Kafkasos, do të përmirësojë lidhjen ekzistuese të transportit midis të dy vendeve si dhe do të zhvillojë më tej fluksin e transportit të njerëzve e mallrave”.

PADITURIA SHQIPTARE

Por Tirana zyrtare, që vuan nga doza e vetëreklamës partiake, por edhe nga padituria e skajshme, merret me llogje për gjoja ringjalljen e hekurudhës, që e kanë çuar në atë farë derexheje të gjitha qeveritë e viteve 1990-2000 (Meksi, Majko, Meta, Nano, Berisha).

Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhiansto nuk ka pse tundet e shkundet për një stacion të vogël udhëtarësh në Kashar, as dhe për të ashtuquajturin terminal hekurudhor në portin e Durrësit që aktualisht përdoret për skrap importi në drejtim të Elbasanit.

Ekspertët e vjetër të shinave buzëqeshin me projektin pa vlerë ekonomike për segmentin Tiranë-Rinas (aeroport)-Durrës: kreut të dikasterit t’i bëhet e qartë maksima e ekonomisë së transportit hekurudhor: me shkurtimin e distancave me progresion aritmetik, rritet kostoja me progresion gjeometrik; prandaj distanca 30 km Durrës-Tiranë është vërtet rreth 4 herë më e vogël se distanca 117 km Durrës-Lin, por kostot e transportit të ngarkesave në këtë fundit ulen me 20-fish.

Instituti i Transportit t’i bëjë të ditur ministrit se Uashingtoni nxiti Korridorin VIII hekurudhor pikërisht për këtë arsye: të ndërtohej në kalatën lindore të portit një megaterminal muldimodal kontejnerësh që do të lidhte Adriatikun me Detin e Zi me trena, pasi kostoja nga Durrësi deri në Maqedoni kushton 10 herë më pak se nga Selaniku; atëherë do të kishte kuptim i ashtuquajturi “terminal hekurudhor” i z. Haxhinasto në portin e Durrësit.

Në këtë pikëpamje diplomacisë “hekurudhore” i duhet të këmbëngulë të sigurojë 150 milionë euro për rinovimin e linjës Durrës-Lin, pasi ka mundësi, që pjesa maqedonase e linjës Kërçovë-Lin të përdoret nga grekët për lidhje të tjera dhe ta lënë Shqipërinë pa lidhjen Perëndim-Lindje (Adriatik-Det i Zi).

Me gjithë bonsensin e drejtorit shqiptar të infrastrukturës së Hekurudhës Maqedonase, z. Irfan Asani, për të ndihmuar Tiranën / Durrësin, në fund të fundit vendosin Shkupi, Athina dhe Brukseli; i vetmi aleat është Uashingtoni, i cili, për nevoja të biznesit amerikan për depërtim në Azi nëpërmjet portit të Durrësit, mund të ndërhyjë në politikën e BE-së për korridoret panevropiane.

Kjo bëhet më e ngutshme, por edhe më urdhëruese, po të kihet parasysh se e ardhmja u takon kontejnerëve; por porti i Durrësit, që ka një terminal modest kontejnerësh me koncesionar turko-maltez, po rivalizohet nga Tivari, Gumenica, Selaniku, gjë që reflektohet më rënien e fluksit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/