DURRËS, 27 TETOR 2014 – Një vit e ca muaj më parë gazetari Mustafa Nano artikuloi në publik një tezë sa qesharake në vetvete aq dhe me nuancë të theksuar humori, por ditët në të cilat ngjarjet e kohës vinin me aq shpejtësi, i rrëzonin sa hap e mbyll sytë. Kështu që, teza se jemi përballë një regjimi, dhe në rrethana të tilla, deri dhe çdo qelbësirë që ka arsyet e veta të jetë kundër regjimit duhet parë si një resurs opozitar, dalëngadalë kjo tezë, e hedhur ashtu krejt qokthi, filloi të japë metastazat e veta të konfliktit.
Ka zëra që po i fryjnë tymnajës që ka hedh shtat rreth debatit të dy gazetarëve të njohur Balla- Haxhiu si një konflikt që ka nisur për shkak të dominancës së tepërt të Batonit tek kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama. Ca të tjerë e konsiderojnë thjeshtë një xhelozi profesionale mes këtyre dy gazetarëve. Por realisht çfarë qëndron pas kësaj? Në realitet asnjë njeri nuk mund të japë një përgjigje të saktë. Megjithatë, një gjë dihet, Batoni dhe Balla kanë prekur në kallo të njëri-tjetrit.
Ata që e kapërcyen ylberin pas fitores së socialistëve, pra fill pas kapërcimit, matanë ylberit, shpëtuan nga të qenurit qelbësirë, ndërsa këta të tjerët, kanë filluar të luajnë lojën e këtyre të fundit. Cicmicet që Sokol Balla dhe Baton Haxhiu kanë nisur të bëjnë është një pasqyrim i qartë i shfaqjes së qelbësirave në krye të skenës. Jo shumë kohë më parë, një konflikt i ngjashëm nisi mes Mero Bazes dhe Koço Kokëdhimës ku akuzat e ndërsjella nuk ishin edhe aq boshe sa u pandeh në ato çaste të fillimit.
Një konflikt po i heshtur, nën rrogoz ka nisur edhe mes Ilir Metës dhe Edi Ramës në lidhje me kryetarin e bashkisë Lezhë ViktorTushajn. Sa u detyruan deri aty të pezullojnë urdhërarrestin që ishte lëshuar për kryetarin e bashkisë Lezhë dhe disa punonjës të tjerë të zyrës së urbanistikës. Megjithatë, këtu ka vend të futet edhe krisja e marrëdhënieve mes Ramës dhe Erion Veliajt, që pas dasmës së ministrit të Mirëqënies popullore hendeku mes të dyve, sipas shumë zërave pranë tyre, është thelluar.
Atëherë, a kemi të drejtë të pyesim se çfarë prodhoi një qeverisje e këtillë? Është një nga pyetjet që çdo shqiptar, me siguri, e bën me vete gjatë përditshmërisë së tij. Ka syresh, të ekzaltuar nga makiazhi brilant i qeverisë, shohin një levizje pozitive të gjërave, kryesisht nga këto radhë mund të jenë ata që jetojnë dhe punojnë jashtë trojeve shqiptare. Ndërsa të këtejmit, e kanë kuptuar se gjërat nuk po ecin ashtu siç edhe u premtuan, shumë zhgënjime, dështime dhe shpresa të kota.
Për një shoqëri si e jona, mungesa e shtetit është një formë që rëndon mbi të dhe që ia çrregullon gjithë sjelljet. Kur asnjë deputetët i mazhorancës, asnjë autoritet i saj, asnjë institucion, asnjë personalitet i majtë, nuk mund të japë prova për një besueshmëri morale, kur njerëzit arrijnë të besojnë se bota është një xhungël ku sundon ligji i më të fortit, dhe ku lejohet çdo goditje, s’ka se si të mos shkohet drejt dhunës, kaosit dhe frikës.
Përkëtej, në fakt, qeverisja e Ramës mund të konsiderohet një shpartallim i legjitimitetit të saj. Me siguri, njëri prej mësimeve që shqiptarët morën nga kjo fitore e majtë, është se në kohën e sotme, asnjë çoroditje apo theqafje morale, nuk mund të jetë e shkëputur nga njerëzit, a, e lidhur ngushtësisht vetëm me partinë, dhe kur ajo prek emocionet, perceptimin ndaj vetes dhe jetën e përditshme të popullit, efektet e saj ndjehen në të gjithë vendin.
Mund të pyetet pastaj se mos kjo pandjeshmëri ndaj korrupsionit të qelbësirave që ka çrregulluar qëndrimet e njerëzve dhe që po i shkakton më në fund mjaft telashe, mos ka dëmtuar edhe sistemin tonë të drejtësisë?
Por po e bëjnë, do të thonë e stërthonë, në realitet njerëzit nuk po ia fusin kot, shtrëngimi i thonjëve po ndjehet nën lëkurë. Pa dyshim, por shumë pak nga ç’duhet. Për këtë dosje shumë të rëndësishme, mund të thonim, se çështja nuk qëndron tek mbulimi i gjërave me heshtje, por tek aftësia e zgjidhjes së problemit që s’mbaron kurrë, që u helmon jetën, dhe që i jep dorë çoroditjes së njerëzve.
Këtu kemi një çrregullim të rëndë, përfshirja e të cilit shkon përtej sa dhe brenda botës së horrllëkut apo të politikës. Sepse atëherë duke parë se ç’ndodh, gjithkush ka të drejtë të pyesë se pse duhet ndjekur ende një punë e ndershme, pse një i ri të duhet të bëhet profesor, mjek apo marangoz, kur më mirë bëhet trafikant, Sokol apo Baton, dhe në një mjedis të tillë moral si t’ia bësh që të përcillesh dijet, idealet dhe si të mbash në këmbë një minimum indi shoqëror që të mund të mbijetojnë ato gjëra aq thelbësore dhe të brishta që e kanë emrin liri, ndershmëri dhe demokraci.
Duam shumë të besojmë se ky hov mund të jetë i përballueshëm, por nuk mund t’i kapërcejmë aq lehtë shqetësimet kur e kalojmë vështrimin mbi këtë vendin tonë, një vend i karakterizuar prej një mungese të theksuar morali, guximi dhe dinjiteti. Një vend ku horrllëku po bën ligjin, ku paraja ka zënë shpirtin, ku besueshmëria morale mbetet një plaçkë e rrallë, një vend ku krizat e mëdha politike i shtyjnë njerëzit të mbrojnë me çdo çmim interesat e tyre, në vend që të japin prova solidarsie dhe zgjuarsie.
( marrë nga Opozita.com)





