DURRËS, 27 tetor 2014 – Si rrallëherë në Durrës fundjava rezervoi një befasi, disi surreale, teksa të premten pasdite, më 24 tetor 2014, u bënë dy veprimtari paralele; prej disa vitesh shoqata “Durrësi” dhe bashkia e kanë shpallur tetorin festë të ullirit, si simbol të paqes, kurse durrsakja, zonja Odetë Nishani, në pozicionin e gruas së presidentit të Republikës, shpalli në amfiteatrin e Durrësit tetorin si muaji i dafinave, që “ka simbolizuar gjithnjë fitoren, por edhe statusin e lartë në shoqëri”.
Zyrtarisht shoqata “Durrësi” njoftoi mediet për veprimtarinë e përvitshme të Festës së Ullirit të 24 tetorit 2014 (u pasqyrua dhe nga “Dyrrah”-u).
Kurse veprimtaria e dytë, e organizuar në amfiteatrin e Durrësit për Festën e Dafinës, nga Zonja e Parë Odetë Nishani, u mbajt disi e rezervuar, ndoshta dhe për arsye sigurie të ambasadoreve të huaja.
Burime diplomatike thanë për “Dyrrah”-un se janë habitur disi për kohën e shkurtër të njoftimit nga Presidenca, si dhe nuk iu shpjegua nga protokolli pse ishin anashkaluar qeveritarët vendorë sikurse është rregulli i pashkruar ndërkombëtar në këto raste.
Bën përshtypje që fjalimshkruesi, që bashkëvuan vanitetin, u ka kujtuar të ftuarave se duhet të përfytyrojnë me kënaqësi se si ndesheshin për jetë a vdekje gladiatorët (Zonja e Parë i quan “lodrat me gladiatorë”!), pasi kurorat e dafinës “simbolizojnë triumfin dhe statusin e lartë në shoqëri”.
Ja njoftimi i Presidencës:
Më 24 tetor 2014, Zonja e Parë, Odetë Nishani zhvilloi një aktivitet në amfiteatrin romak të Dyrrah-ut të lashtë me ambasadoret, zonjat e ambasadorëve dhe personalitete të shquara në njohjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Duke falënderuar për pjesëmarrjen, ndër të tjera Zonja e Parë u shpreh:
“Ky aktivitet, këtë mbrëmje, zhvillohet në kuadër të prezantimit të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore te ju, sepse jeni miq e partnerë të rëndësishëm dhe sepse me ju ndajmë vlera të vyera kulturore, pavarësisht largësive gjeografike në disa raste mes vendeve tona.
Jemi vend i vogël, por me një larmi kulturore të admirueshme, diçka që sigurisht nuk kemi dëshirë të mburremi, përkundrazi e konstatojnë dhe na e thonë gjithnjë miqtë.
Erdhëm pikërisht në këtë monument unikal, ku dikur luheshin lodrat me gladiatorë e për ta sjellë atë më pranë, për të përjetuar disa çaste së bashku në Ilirinë e lashtë, menduam të përgatitim kurorat e dafinës. E kanë mbajtur si kurorë edhe mbretëreshat e mbretërit ilirë, dhe ka simbolizuar gjithnjë fitoren, por edhe statusin e lartë në shoqëri.
Duke qenë krenarë për atë të cilën kemi trashëguar, jemi edhe të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi ne për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj për brezat e ardhshëm”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





