DURRËS, 27 tetor 2014 –  Vitet e fundit Apeninet po shfaqin interes të madh për dialog me Ballkanin që është përballë, në bregun lindor të detit Adriatik, sikurse ndodhi në fundjavën e kaluar, duke theksuar rolin e arsimit në jetën demokratike.

Portali italian  politicamentecorretto.com njofton se më 23-24 tetor 2014 u zhvillua në Bari një takim i rëndësishëm me tematikën e  pluralizmit demokratik në bazë të mirëkuptimit të ndërsjellë të trashëgimisë etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore të vendeve të të dy brigjeve të Adriatikut, promovuar dhe organizuar  nga Universiteti “Aldo Moro” i Barit dhe Instituti “Rezzara” i Viçencës.

Ishin të pranishëm relatorë, pedagogë, gazetarë, shkrimtarë dhe ekspertë nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia.

Konferenca kishte si objektiv nxitjen e një reflektimi mbi rolin e institucioneve dhe ecurinë e demokracisë, ndaj të cilave është tejet i përhapur mosbesimi i qytetarëve.

Në veprimtarinë italiane-ballkanike “Dialog midis dy brigjeve. Jeta demokratike: arsimi në pluralizëm” mori pjesë dhe foli, si përfaqësues i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, z. Ledion Lako, i cili përcolli përshëndetjet e ministres, znj. Mirelë Kumbaro.

Z. Lako vuri theksin mbi trashëgiminë e pasur kulturore në Shqipëri si dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet midis dy popujve shqiptar e italian.

Nga Shqipëria ishin të pranishme dhe bënë ndërhyrje Kozarë Kati e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut; shkrimtarja Dianë Çuli dhe Ketrinë Çabiri e Universitetit Europian i Tiranës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/