DURRËS, 27 tetor 2014– Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, në një intervistë për gazetën “SOT”, deklaroi se UEFA ka shkelur parimin e anti-racizmit dhe principin kryesor të saj. Brokaj tha se racizmi në Serbi, nuk filloi pas banderolës së lëshuar me flamurin shqiptar, por kishte filluar para se shqiptarët të shkonin në Serbi. Sipas tij, pavarësisht se kush e lëshoi dronin, UEFA duhet të kishte dënuar Serbinë për provokim, pasi banderola tha Brokaj, u lëshua në atë stadium ku shqiptarët nuk u lejuan të futeshin. Vendimi i UEFA, theksoi Brokaj, do të shërbejë si stimul për agresion në fushë. Më tej, ish-ministri i Mbrojtjes, komentoi dhe vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, duke e cilësuar si të domosdoshme. Kjo vizitë sipas Brokajt, do i shtonte disa pikë dhe politikës beogradase. Sa i përket makthit të serbëve për Shqipërinë e Madhe, ish-ministri Brokaj u shpreh se ky term ka lindur nga serbët dhe është përdorur gjatë periudhës së fashizmit, për të justifikuar agresionin ndaj Shqipërisë. Ai tha se mendja obskurantiste e politikës serbe dhe e disa qarqeve të veçanta në Greqi, i ngre këto teza për të trembur Europën. Ndër të tjera, ish-ministri Brokaj u ndal te lufta kundër korrupsionit. Sipas tij, kokat e korrupsionit në Shqipëri, fillojnë që te personi që firmosi për qindra miliona euro të rrugës Durrës-Kukës, te firmëtari për faljen e hapësirës detare shqiptare, te 21 Janari dhe Gërdeci.
–Vendimi i UEFA për t’i dhënë Serbisë tre pikë në tavolinë, pavarësisht thirrjeve raciste, dhunës dhe pushtimit të fushës së blertë, po i kalon përmasat e një skandali ndërkombëtar. Cili është komenti juaj?
Së pari, është ngritur parimi i joracizmit për UEFA dhe parullat në fushë. UEFA e shkeli. Racizmi në Serbi, nuk filloi pas asaj banderole, kishte filluar para se të shkonin shqiptarët, para se të hynin në fushë. Thërrisnin kur ishte himni. Pra, në këtë kuptim, UEFA shkeli principin kryesor të saj. Sporti është për vëllazërinë dhe miqësinë, jo racizmit, dhe ajo pranoi të kundërtën e saj. Pra, UEFA nuk ka asnjë princip, ajo e shkel vetë atë. Momenti i dytë është kur sportistët dhunohen nga të jashtmit dhe shteti përkatës nuk siguron qetësi, automatikisht dënohet stadiumi përkatës. Përsëri i dënuan shqiptarët. Dhe po shtoj dhe një të tretë. Banderola, pavarësisht se kush e lëshoi, përderisa u lëshua në shtetin X, ku shqiptarët ishin të ndaluar të futeshin edhe në stadium, përgjegjësia është e atij shteti, si provokim. Nuk ka të bëjë fare me shtetin shqiptar. Pra, pa detaje të tjera, UEFA shkeli principin dhe rregullat bazë të saj. Kuptohet që reagimi nuk ka si të mos jetë ndërkombëtar.
-Çfarë impakti do të ketë vendimi i UEFA në futbollin në Europë? Mendoj se ky vendim do t’i vendosë skuadrat në pozicione shumë të mira. Më saktë është si një nxitës, stimul i agresionit në fushë. -Si e vlerësoni situatën e re në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë?
Doli në pah ajo që në Serbi është më shumë se shekullore: paragjykimi i shqiptarëve dhe qëndrimi antishqiptar i tyre. Cipa paska qënë shumë e hollë, që mjaftoi një ndeshje futbolli që ta hiqte. Në këtë pikëpamje, unë e quaj jo të mirë për momentin, por fare të mirë për mendjen e politikanëve shqiptarë. Ata nuk duhet të fluturojnë se u ndryshua sistemi dhe u ndryshuan gjërat. U ndryshua sistemi, por bota ka më shumë luftëra serboraciste në atë lloj bote. Kjo do të thotë që, ajo jo vetëm ishte më e mirë, por interesat kombëtare dhe paragjykimet nacionale, gjallërohen më shumë, siç janë gjallëruar. Pra, udhëheqjet politiko-shtetërore duhet të jenë fanatike në mbrojtjen e interesit kombëtar. Nuk u takon kozmopolitizmi vendeve të vogla. U takon patriotizmi, në kuptimin e mbrojtjes së interesave kombëtare, ku vendeve të vogla u shkelen më lehtë nga të tjerët. Gjykoj që kjo ndeshje këtë pati pozitive. Tregoi se shqiptarëve çfarëdo lecke t’u japësh, si flamuri i Kosovës apo të tjerë përfaqësime të shqiptarëve, shqiptarët njohin vetëm një flamur, atë që u ngrit në 1912 në Vlorë. Ndonëse dihet se shqiptarët nuk bëhen bashkë kollaj, ai flamuri i bëka bashkë shqiptarët. Dhe thelbi është patriotizmi në kuptimin e shëndoshë të tij. Na kanë dalë ca peliveca, që e sulmojnë këtë ideologji. Sipas Kenedit, kjo ideologji shtyn më përpara kombet se çdo ideologji tjetër. Pikërisht këtë ideologji, shqiptarët duan ta shmangin. Kjo ndeshje këtë pati shumë të mirë. Shqiptarët bëhen bashkë, jo për të sulmuar të tjerët, por për të mbrojtur prestigjin, dinjitetin dhe nderin e tyre.
-Çfarë prisni ju nga vizita e Ramës në Beograd?
Vetëm formalitet. Unë isha ndër të rrallët që thashë se duhej shtyrë vizita. Natyrisht jo se më dëgjuan mua, por duhej shtyrë vizita objektivisht. Të dy politikanët, jo si politikanë, por si njerëz të zakonshëm, në momentin që zihen, e kanë të vështirë të takohen, pasi u mbetet në mend grindja. Fjala vjen, Rama do shkojë në Beograd dhe të takojë homologun tim. Si do fillonte biseda?! Nuk kishte sesi. Ndërsa duke e shtyrë qoftë edhe kaq pak ditë, biseda fillon më natyrshëm. Përshembull, me një kompliment që Beogradi u bë vendi i takimit nën drejtimin e Fyles, që ministri serb dhe shqiptar, paraqitën ide të mira. Edhe prej këtej kalon biseda te tema e vizitës. Ne shqiptarët, pa bërë Shqipërinë Evropë, duam të bëhemi misionarë të mëdhenj. Kjo është sëmundje e politikanëve, nuk është e Edit. Të gjithë kanë një mani që së pari, të japin me një kostum pamjen e evropianit, ndërkohë që thelbi dhe trupi i evropianit është Shqipëria moderne. Ne mendonim në ’90 se për 5 apo 10 vjet do të ishim në BE. Kaluan 23 vjet. Sikur të kishim hyrë në BE, vërtet do silleshin serbët me shqiptarët ashtu sikurse u sollën në stadium?! Dëmin ia kemi bërë vetes duke mos e bërë Shqipërinë evropiane, dhe jo duke marrë poza evropiane. Për t’iu rikthyer pyetjes suaj, unë mendoj se do të jetë një vizitë formale. Por, edhe kaq ajo ka një farë vlere, sepse një vizitë tjetër e dytë, nga ai apo dikush tjetër, do të ketë një produkt. Unë e quaj kusht të domosdoshëm që Edi të shkojë. Më erdhi mirë që ai e përmendi edhe një herë vizitën e tij në Beograd, kur ndodhej në Preshevë, në atë hapësirë shqiptare të cilët kanë qënë të braktisur. Asnjë etni e huaj në Shqipëri, përfshi ata 5 malazezët në Shkodër, apo pakica greke në jug, kanë qënë shumë të mbështetur nga politika dhe shtetarët. Vetëm shqiptarët që kanë qënë jashtë kufijve kanë qënë të braktisur nga politika apo shteti i tyre. Ky veprim i Ramës është i domosdoshëm që të kryhet. Kjo do të ishte dhe një favor për politikën beogradase. Do të fitonin edhe ata ca pikë si një qeverisje dhe politikë tolerante në raport me etnitë e tjera.
-Cili është mendimi juaj për makthin e serbëve për Shqipërinë e Madhe dhe çfarë mendoni për Shqipërinë Etnike?
Tashmë dihet që ideja Shqipëri e Madhe nuk ka lindur nga shqiptarët. Shqiptarët nuk kanë pse e quajnë atë që është e tyre, e madhe. Ajo është e tyre, aq sa është. Është një term i lindur nga ata dhe e përdorur gjatë periudhës së fashizmit për të justifikuar agresionin ndaj Shqipërisë dhe pranimin e pushtimit fashist. Kanë luajtur serbët, grekët me këtë term. Pikërisht ata që e kanë copëtuar, i kanë marrë pjesët, e kanë bërë si tezë për të trembur Evropën. Shqiptarët në hapësirën e tyre, do të bëjnë rrugën e tyre, pavarësisht duan apo jo serbët dhe grekët. Por, bashkimi evropian, vizioni evropian, drejt shuarjes së kufijve, vetvetiu i realizon jetën komode atje ku janë, të etnive të mëdha apo të vogla. Një ditë shqiptarët do të jenë bashkë brenda një Evrope të përbashkët. Të mos e masim zhvillimin e kontinentit tonë me jetën njerëzore, në kuptimin e individëve. Edhe para 20 vjetësh, deri në ’99, kujt do t’i shkonte ndërmend se Kosova do i ikte Serbisë, duke marrë parasysh se Evropa e kishte shkëputur Kosovën nga Shqipëria dhe ia kishte dhënë Serbisë?! Edhe sot e kësaj dite ka serbofili. Por, principet e politikanëve mendje hapur bënë që Kosova të jetë e lirë. Procesi do të ecë. Por, mendja obskurantiste e politikës serbe, e kishës dhe e disa qarqeve të veçanta në Greqi, i ngrenë këto teza për të na trembur. Trembja dhe shovinizmi realizohen kur ke ushtri agresive. Shqipëria nuk ka ushtri fare, e ka mbrojtjen dhe sigurinë e saj të mbështetur te NATO. Kosova nuk ka ushtri. Nuk e di çfarë e tremb Serbinë dhe Greqinë?! Nuk ka shovinizëm në kuptimin e pushtimit dhe marrjes së tokave pa ushtri. Shqiptarët, problemet ia kanë sjellë vetes së tyre, asnjëherë fqinjit. Kur thonë: destabilizim të rajonit nuk ka gjë më qesharake. Shqiptarët kanë destabilizuar veten e tyre. Janë po njerëzit, që i kanë shkaktuar vetes të këqija. Ajo e frikës së Shqipërisë së Madhe, është për të provokuar Evropën dhe për të mbajtur opinionin evropian në mendimet e Luftës së Parë Botërore. Evropa për stabilitet rajonal ia mori pjesët Shqipërisë. Është e thënë qartë nga Grej, nga Londra, apo nga Parisi që, pse ju hoqën pjesët Shqipërisë? Normalisht për të stabilizuar rajonin. Menjëherë 3 vjet pas 1912-1913, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe shkaktarë ishin serbët, dhe jo shqiptarët e shkretë që u copëtuan. Ky moment është i mjaftueshëm për të treguar se shqiptarët nuk destabilizojnë kërrkënd dhe sado serbofile të tregohet Evropa, serbët në rolin e tyre të shovinizmit agresiv nuk frenohen. Problem do të jetë.
-Thuhet se në 15 vitet e fundit, shqiptarët po marrin një rol dominues në rajon. Si e shihni këtë rol të ri të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni?
Unë do të thosha se roli ka qënë kryesisht politika më pro perëndimore në rajon. Nuk është se kanë marrë ndonjë rol të rëndësishëm. Unë do të thosha se ndonjëherë lanë lëshuar dhe fill në interesa të tyre, për hir të faktit që ata t’i japin provat se kanë tolerancë, ndonjëherë duke dëmtuar edhe interesat e tyre, që unë nuk jam fare dakord. Ndaj dhe thashë se ky moment, i jep më shumë kuptim dhe fundit të përgjigjes që dhashë në pyetjen më parë. Ato tolerancat tona, na kanë bërë më shumë dëm se sa mirë. Sido që të jetë, ka qënë rol në ngritje, sepse janë dy shtete në fund të fundit. Është rol në ngritje sepse Maqedonia ekziston falë tolerancës së shqiptarëve në Maqedoni. Po të jenë ata agresivë, siç janë maqedonasit ndaj tyre, Maqedonia nuk do ishte, pasi shqiptarët atje janë gjysma e popullsisë. Kjo i ka dhënë një opinion pozitiv për shqiptarët dhe rolit të tyre në Evropë. Shqiptarët nuk i kanë sjellë asnjëherë probleme as rajonit, as Evropës, veç vetës së tyre. Ne nuk po bëjmë të veçantën, por, atë që realisht ka ndodhur. Na pëlqen që për rajonin, Edi qoftë formalisht mori një rol më parësor në takimet që ka bërë. Do të na pëlqente që kjo ta ngrinte dinjitetin e Shqipërisë. Dinjitetin e vendit të tyre, shqiptarët e bëjnë vetëm duke e bërë Shqipërinë ashtu siç duhet bërë. Sjellja me rajonin është një komoditet, por jo rol thelbësor.
-Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian ka kërkuar arrestimin e ish-kryeministrave, ish-ministrave, gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Sipas mendimit tuaj, nga duhet të fillojnë arrestimet në Shqipëri?
Korrupsioni fillon nga koka dhe po u dënuan dy-tre të parët e vendit, ju siguroj se korrupsion nuk bën as kamerieri, as vjedhësi i xhepave. Realisht, Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin. Të gjitha janë poza, veprime krejt të shkëputura, jo në sistem, jo në rrënjë dhe jo në kokë. Prandaj është kaq i përhapur. Ky është emri më i keq që i kemi dhënë ne Shqipërisë, jashtë. Janë fare të qarta se cilat janë këto koka. Janë radhazi. Kush ka firmosur për qindra milionët e rrugës Durrës-Kukës? Kush ka firmosur dhe në cilën qeveri, kur hapësira detare iu fal Greqisë? Është tradhti e lartë dhe nuk do kishte kryeministër apo ministër në botë që nuk do të ishte në burg? Në botë, kryeministri apo ministri, do të kalbej në burg. Ata që janë në opozitë tallen me qeverisjen shqiptare. 21-Janari, Gërdeci, natyrisht duhen dënuar. Gërdeci ishte korrupsion që shkoi në vrasje të njerëzve. Pra, përgjegjësit dihen, i kanë emrat. Nëse do të dënoheshin ata, edhe pala tjetër nuk do merrej më me korrupsion. Në Shqipëri, njëra qeveri duke mos luftuar korrupsionin e qeverisë tjetër, ka kultivuar korrupsionin e vetes. Kjo ka ndodhur.
/marrë nga Gazeta “Sot”/





