26 tetor 2014 – Teuta humbet sërish dhe situata për durrsakët komplikohet seriozisht. Teuta ka luajtur mire dhe ndeshja ka qenë e barabartë por ajo që vendosi ishte një gol i Elis Bakajt, që shfaqi dhe një herë klasin e tij duke zgjidhur një ndeshje shumë të ekuilibruar mes dy formacioneve. Pozitat në renditje por dhe ecuria në javët e fundit ishin të ndryshme me për të dyja skuadrat, me Tiranën që vinte si kryesuese, e durrsakët që kishin humbur dy sfidat e fundit në kampionat, ndaj dëshira për të ndryshuar këtë ecuri ishte e madhe, aq sa pas vetëm 50 sekondash, një ish si Koreshi për pak sa nuk kaloi në epërsi Teutën. Fillimi i vrullshëm nuk pati një vazhdim po kaq të vrullshëm, me dy skuadrat që zhvilluan kryesisht një lojë fizike dhe të mbyllur. Përgjithësisht loja ishte e ekuilibruar dhe për të parë një rast tjetër duhej pritur deri në minutën e 35-të, kur Rafael lëshoi një goditje nga distanca që kaloi ngjitur me traun e portës. Për Tiranën mundësinë më të mirë e pati Pashaj në të 45-tën, që provoi një kthesë në zonë pas një harkimi të ardhur nga këndorja. Me Tiranën në sulm nisi dhe pjesa e dytë, teksa Bakaj nuk goditi menjëherë në të 47-tën duke humbur befasinë. Ritmi megjithatë nuk do të ndryshonte nga ai i pjesës së parë, me dy ekipet që ishin tejet të kujdesshme në fushë. Në këto kushte nevojitej një magji për të prishur bardhësinë e shifrave, dhe atë e bëri Bakaj, në të 76-tën, kur me një goditje fluturimthi mposhti Rizvanin duke i dhënë epërsinë bardhebluve. Një avantazh të cilin Tirana e menaxhoi si një skuadër e vërtetë kryesuese duke marrë një fitore të rëndë në transfertë, por duke zhytur Teutën, që pëson të tretën humbje radhazi, sërish me rezultat minimal. Pas ndeshjes trajneri Hasan Lika ndjen keqardhje për humbjen me Tiranën, mbi të gjitha pas një ndeshjeje të barabartë por trajneri i durrsakëve shpreh bindjen se skuadra e tij do të ringrihet kur analizon dhe fazën e parë të kampionatit: “Nuk është situatë e mirë, kemi zhvilluar lojëra të mira dhe nuk kemi marrë aq sa meritonim, por kemi kohë për t’u ngjitur. Kemi besim dhe pavarësisht emrit të kundërshtarit do të përpiqemi gjithmonë të marrim maksimuin”.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





