DURRËS, 25 tetor 2014–  A po shndërrohet Durrësi në një legjendë urbane, teksa po i shëmbëllen gjithnjë e më tepër një gërmadhe arkeologjike, më tepër se një qyteti me vlera arkeologjike?!  Ky me sa duket ka qenë dhe impulsi i parë që ka nxitur shumë intelektualë durrsakë të krijojnë “Shoqatën për mbrojtjen e vlerave të Durrësit”. Durrësi, kryeqendra e  transportit në vend, i cili na prezanton me botën nuk mund të jetë një epiqendër betoni. Durrësi është i durrsakëve, ndaj duhet mbrojtur, respektuar dhe përkujdesur për rëndësinë dhe vlerën e paçmuar që ka.

Intelektualët shprehën mendimin se në këtë shoqatë s’ka vend për ngjyrime politike, sepse qëllimi i saj është që të jetë në funksion të Durrësit dhe qytetarit durrsak.

Më shumë se kurrë, sinjalet “sos”për shpëtim të tejzgjatura që nga lashtësia kanë nevojë për vëmendje e dedikim serioz. Aktiviteti që u paraprin shumë të tjerëve u zhvillua pikërisht sot në qytetin tonë, në sallën e mbledhjeve të restorant “Arvit”. Fjalën e rastit e mbajti z. Bashkim Kadiu (kryetar i shoqatës), i cili u pasua nga znj. Teuta Kalakula (sekretare e shoqatës), zj. Ada Spiru (drejtore ekzekutive), z. Arqile Gorea, avokati Altin Goxhaj, biznesmeni Arben Babameto, shkrimtarja Myzejen Çullhaj Konduri, ekonomistja Mimoza Laku Mele, arkitekti Viktor Dhimgjini, intelektualët e nderuar si Fatos Tartari, Fatmir Minguli, Hasan Ulqini etj. Ndonëse durrsakët, shpeshherë identifikohen si indiferentë, në rastin e shatërvanit, në sheshin para Bashkisë së qytetit treguan se kanë dinjitetin e duhur dhe qytetarinë të ngrihen e të impenjohen për të mbrojtur një simbol të dashur për të gjithë.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/