DURRËS, 25 TETOR 2014– Vendimi i Komisionit të Disiplinës vazhdon të diskutohet në Serbi duke u konsideruar si i papërshtatshëm për kombëtaren e drejtuar nga Dick Advocat. Aleksandar Mitrovic, i cili luan te ekipi i Anderlechtit që drejtohet nga Hasi, ka komentuar vendimin e UEFA-s dhe ka folur gjithashtu dhe për sfidën e kthimit mes dy kombëtareve, që me shumë gjasa do të luhet në Shkodër, pas deklaratës së kryeministrit Rama, se impianti do të jetë gati për takimin e vitit te ardhshëm. Sipas sulmuesit të Anderlecht vendimi i UEFA-s është i padrejtë dhe madje ai ka shprehur bindjen se është e vështirë që organi qeverisës i futbollit europian të ndryshojë vendimin e saj në Apel. Sa i përket takimit të kthimit, Mitrovic deklaroi se është i sigurtë se Serbia do të marrë tre pikët në Shkodër ndërsa i ndikuar ndoshta nga huliganizmi e dhuna e tifozëve të tij ndaj kombëtares shqiptare, theksoi se është i përgatitur për cdo gjë në këtë përballje, përfshi dhe një sulm fizik nga ana e fansave kuqezi apo futbollistë të përfaqësueses sonë.





