DURRËS, 25 TETOR 2014–  Kaos total në Serie A me protagonistët e përhershëm, Interin dhe Juventusin. Këtë herë shkak për ndezjen e shkëndijës u bë largimi i presidentit të nderit, Masssimo Moratti nga Interi, vendim që nxiti reagimin e presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli. “Besoj se atij duhet t’i njihet dashuria e madhe për Interin e tij, por duhet t’i njihen gjithashtu edhe disa veprime të çmendura si ai kur pranoi një titull edhe pse nuk e kishte fituar”, theksoi numri një i shoqërisë bardhezi. Një deklaratë që nuk është përtypur aspak në krahun tjetër sepse kundërpërgjigja e Interit erdhi e menjëhershme. Nëpërmjet faqes zyrtare në internet, Interi e cilësoi të gabuar qëndrimin e Agnellit dhe deklaratën e tij e përshkroi si të pamenduar dhe tendencioze për të ndryshuar historinë. “Për fat të keq, për të dhe për gjithë futbollin italian, viti 2006 ishte katastrofik. Titulli iu caktua sipas të gjitha rregullave Interit, ndërsa Juventusi u rrëzua në Serie B bashkë me reputacionin që kishte. Këto janë faktet që ne nuk do të lejojmë të harrohen”, saktësohet në deklaratën e klubit milanez. Kjo nuk është hera e parë që Agnelli thumbon Morattin pasi edhe në të shkuarën, kreu i shoqërisë bardhezi ka sulmuar rivalët për titullin e fituar në vitin 2006 pas skandalit Calciopoli.