DURRËS, 25 TETOR 2014–  Zëdhënësi i Komisionit Europian për Kulturën dhe Arsimin, Dennis Abbott, ka reaguar në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke u shprehur se brohoritjet që bëheshin përgjatë lojës nga tifozët serbë ishin të papranueshme. "UEFA po bën një hetim për çfarë ndodhi dhe po, të gjithë i dëgjuam brohoritjet që bëheshin përgjatë lojës, të cilat ishin tërësisht të papranueshme. Kushdo që pa ekranin atë natë, vërejti se kjo nuk ishte e lavdishme për askënd. U takon politikanëve ta zgjidhin se kush duhet të kërkojë falje ndaj kujt dhe kush e nisi i pari. Por, më e rëndësishme është se kjo nuk duhet të gjejë vend në futboll dhe as në çfarëdolloj sporti tjetër. Komisioni do të punojë ngushtë me UEFA-n, në një periudhë afatgjatë, për mënyrën sesi duhen trajtuar të tilla situata, sepse sporti i futbollit qartësisht përballet me të tilla sfida në kuptim të dhunës e diskriminimit dhe kjo nuk arrihet me një mrekulli, por kërkon edukimin e njerëzve, edukimin e tifozëve të futbollit. Ky është një proces i gjatë që përfshin jo vetëm një politikan apo institucion të veçantë, por përfshin të gjitha palët që duhet të punojnë së bashku për edukimin me UEFA-n dhe FIFA-n në sport. Kjo nuk ka të bëjë me çfarë tha njëri apo tjetri dhe se kush duhet të kërkojë falje. UEFA po bën punën e vet dhe Komisioni e mbështet atë", është shprehur Abbott. Qëndrimi i Abot është dukshëm i ndryshëm nga ai që mbajti dy ditë më parë zëdhënësja e baroneshës, Katerin Ashton, Maja Koçijançiç.