Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 23 TETOR 2014 – Profil qytetar: Nën fokusin e aparatit të Tristan Sherif
Tristan, kur daton pasioni juaj për fotografinë?
Mendoj se pasionet lindin me njeriun, e më vonë në rrethana të veçanta bëhet shkak diçka, që një pasion të të përfshijë gjithnjë e më shumë dhe ti ta kultivosh atë. Ndaj them se me blerjen dhe të ushtruarit me një aparat fotografik profesional në vitin 1994, unë nisa ta kultivoj pasionin për fotografinë.
Përgjithësisht, fotografët janë personazhë atipikë, të cilët vazhdimisht përjetësojnë momente të papërsëritshme, emocione të paharrueshme, personalitete, vende; pra shkurtimisht” gjithçka. Ju ç’raport keni me të fotografuarit ?
Fotografia apo siç më pëlqen mua ta them shqip, dritëshkrimi është një mënyrë për të kapur çastin, për ta fiksuar atë që nuk përsëritet më. E në këtë kuptim, unë përpiqem sidomos të kap dritën që reflektojnë ndjenjat e njerëzve apo ngjyrat e peizazheve e vendeve, pasi jam koshient që ai çast nuk do të kthehet më. Të them të drejtën, duke qenë se tashmë fotografimin e kam kthyer në profesionin tim, kudo që ndodhem e me këdo që takohem, me mendje shoh dhe përcaktoj parametrat që duhet të vendos në aparatin fotografik, apo pikat nga do të mund të fotografoja më mirë. Dmth, kërkoj që aparati fotografik të mund t’i përjetësojë çastet, ashtu siç i shoh unë, me sytë e mendjes.
Me cilat nga fotot e tua ke krijuar një qasje të veçantë?
Me thënë të drejtën, me të gjitha (aq sa shpesh, më kritikojnë se nuk ua jap fotot njerëzve që i fotografoj). Gjithsesi, më pëlqen më shumë të fotografoj dancin apo vallet, duke filluar nga ato folklorike e deri tek kontemporania; si nëpër sheshe e sidomos në skenat e teatrit; loja e dritës me valltarët e balerinët është e tillë që kërkon më shumë punë për të mundur që të arrish të fiksosh lëvizjet.
Shpeshherë pamundësia fizike apo distancat bëhen pengesë serioze për mosrealizmin e dëshirave dhe synimeve tona. A keni një personazh, objekt apo vend të preferuar, të cilin për motivet e sipërpërmendura nuk keni mundur ta fotografoni?
Me siguri që janë shumë. Nuk mundem t’i rendis të gjithë, por do të veçoja faktin që krejt rastësisht kam qenë prezent në Prishtinë, ditën kur Kosova shpalli pavarësinë; ky fakt më bën të shpresoj se fati do të më çojë sërish të kap dritën e shumë vendeve, njerëzve (sipas mendimit tim, të gjithë njerëzit personazhe) apo ngjarjeve të rëndësishme.
Cilat mund të konsiderohen probleme shqetësuese për një fotograf freelance në Shqipëri ?
Nuk ekziston një legjislacion përkatës për profesionistët e lirë (me sa jam interesuar unë në zyrat e shtetit, kur shkon të kërkosh liçencë si profesionist i lirë, freelance, asnjeri nuk di të të përgjigjet). Me zhvillimin e teknologjisë (internetit) ka rënë ndjeshëm kërkesa për punë të drejtpërdrejta, pasi sot foto për të ilustruar diçka mund të gjesh (t’i vjedhësh) lehtësisht në faqet e shumta të dedikuara apo të përgjithshme, etj.
Ç’do t’i rekomandonit një fotografi të ri?
Shumë punë, të studiojë fotot e profesionistëve, pasi mund të mësojë nga të gjithë diçka të re. E mbi të gjitha të jetë një njeri i kulturuar, të njohë etikën, pasi çdo shkrepje është pasqyrë e formimit apo bagazhit kulturor të secilit prej nesh.
Mbi të gjitha do t’u uroja:
Dritë të Mbarë!





