Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me aksidentin tragjik në Durrës, ku dy fëmijë u përplasën për vdekje nga një shofer që dyshohet i dehur.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Begaj shkruan se ndihet i tronditur nga aksidenti, ndërsa shpreh ngushëllimet për familjarët e tyre.
Ai i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masat për rritjen e sigurisë në qarkullim dhe të kryejnë hetimet për ngjarjen.
“I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë.
Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre!
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël.
Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital.
Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.
Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë”, shkruan Presidenti Begaj.





