Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 17 tetor 2014– Trashëgimia gojore dhe jomateriale e njerëzimit janë shprehje të botës kulturore jomateriale që UNESCO ka përfshirë në një listë të posaçme, ku theksohet rëndësia që ato kanë. Trashëgimia Botërore përfaqësohet nga parqet natyrore, qytetet apo komplekset arkeologjike. Qyteti ynë ka fatin të ketë një muze të tillë (arkeologjik). Vetë fjala muze rrjedh nga muza, personazh i rëndësishëm në mitologji. Numërohen 9 muza të cilat ishin bija të Zeusit dhe Mnemozinës (perëndeshë e kujtesës).
Profil qytetar: Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare
Karta e identitetit
Emri zyrtar: Muzeu Arkeologjik Durrës
Tipologjia: muze arkeologjik
Përfaqësimi: Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durres, Ministria e Kulturës
Periudhat historike: Prehistori, helenistike, romake, mesjetë e hershme, bizantine, periudha otomane,
Viti i themelimit: 2002
Sipërfaqja: Sipërfaqja totale e pronës është 4002,54 m2,
nga Sip. Tot, 1586,25 m2 është ndërtim.
Numri i sallave: 3
Numri i objekteve 3204
Numri i të punësuarve: 7
Pronësia: Shtet, me nr pasurie 25/122, zk 8512
Drejtor: Ledion Lako
Adresa: Lagjja nr.1, Shëtitorja “Taulantia”, Durrës
Kontakti: 052 222 806
Email: [email protected]
– Ledion ! Jeni drejtues i një institucioni rajonal të kulturës, siç është Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Durrës! Përtej kësaj mbartni rolin e promovuesit të trashëgimisë antike dhe të vlerave kulturore materiale, jo vetëm të qytetit e vendit, por akoma më gjerë, nisur nga fakti që qyteti i Durrësit përmendet shumë herët në histori. Ç’domethënie ka ky fakt për ju?
Si drejtues i një institucioni rajonal të kulturës, që quhet Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Durrës, ndiej peshën dhe rëndësinë e këtij pozicioni, i cili ka për mision administrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në nivel lokal dhe mbulon një territor mjaft të gjerë, duke përfshirë jo vetëm Durrësin e Krujën, por Tiranën, Elbasanin, Lushnjën e deri në Fier.
Padyshim që Muzeu Arkeologjik, së bashku me Amfiteatrin Roman të Durrësit, përbëjnë një sektor mjaft të rëndësishëm të institucionit që unë drejtoj, për shkak të vlerave të mëdha historike e kulturore që përmbajnë dhe të interesit të jashtëzakonshëm turistik që përcjellin. Për mua si drejtues kjo është sa privilegj, krenari, kënaqësi, aq edhe përgjegjësi shumë e madhe, përballë një komuniteti mjaft dinamik dhe me kërkesa gjithmonë e më shumë në rritje.
– A gjykoni ju se “ndërgjegjja arkeologjike” është e zhvilluar mjaftueshëm në qytetin tonë?
Nëse me “ndërgjegje arkeologjike” ju keni parasysh shkallën e të kuptuarit nga komuniteti të vlerës së jashtëzakonshme që objektet arkeologjike përfaqësojnë për qytetin, si dhe potencialin që ato mbartin në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe turistik të qëndrueshëm të tij, mendoj se kemi punë për të bërë përsa i përket ndërgjegjësimit. Nga ana tjetër, shkalla e njohjes dhe e zbatimit të ligjit për trashëgiminë kulturore, kur bëhet fjalë për objektet apo zbulimet e reja arkeologjike, është gjithashtu një nga shqetësimet tona më të mprehta, si edhe një nga sfidat më të forta të asaj pjese të administratës publike që merret me administrimin e territorit dhe trashëgimisë.
– A ka përfunduar resaturimi i muzeut? A ka objekte të rrezikuara seriozisht apo drejt degradimit total?
Muzeu Arkeologjik tashmë ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjes së ekspozimit të fondit muzeal. Trajtimi i objekteve arkeologjike, për të qenë të gatshme për ekspozim, ka përfunduar plotësisht. Gjithashtu jemi duke punuar intesivisht ne bashkpunim me Bashkinë e Durrësit për sistemimin e ambjenteve të jashtme të muzeut ku do të ketë gjelbërim dhe ekspozim tw eobjekteve arkeologjike. Gjatë procesit të muzealizimit nuk kemi raste të degradimit total të objekteve dhe as objekte të rrezikuara seriozisht.
– A është i survejuar mjaftueshëm muzeu arkeologjik?
Muzeu Arkeologjik ka në stafin e tij restauratorë me përvojë dhe mjaft të specializuar. Gjithashtu, Muzeu ka bashkëpunuar si me Laboratorin e Reastaurimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ashtu edhe me ekspertë të huaj të niveleve të larta ndërkombëtare, bashkëpunim i cili nuk ka asnjë arsye t’i mungojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, Muzeu është i pajisur me sistem sigurie si kamera, sistem alarmi dhe polici private.
– A është ndjerë fenomeni i trafikimit të objekteve kulturore dhe në Muzeun e Durrësit?
Prej hapjes së Muzeut Arkeologjik në vitin 2002 nuk ka pasur fenomene të tilla.
– Ç’ mundësi të reja mendoni t’i ofroni institucionit?
Mundësitë e reja lidhen me atë që ju përmendët pak më sipër, me ndërgjegjësimin e gjithë komuniteteve që jetojnë pranë zonave arkeologjike dhe të gjithë qytetarëve për rëndësinë që trashëgimia kulturore mbart për cilësinë e jetës së tyre. Në funksion të këtij ndërgjegjësimi, ne kemi filluar një projekt të edukimit nëpërmjet trashëgimisë, të quajtur “Miku i Monumentit”, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Durrësit, ku kemi përfshirë brezin e ri në një lëvizje të vërtetë të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Gjithashtu, ne kemi filluar të zhvillojmë një koncept krejt të ri të Muzeut Arkeologjik dhe transformimin e tij nga një sallë ekspozimi objektesh të ndryshme, në një qendër kulturore aktive dhe me një audiencë gjithmonë në rritje. Edhe këtu, rininë shkollore dhe rrjetin e “Mikut të Monumentit “që tashmë e kemi ngritur dhe po e zgjerojmë përditë, e konsiderojmë si një partner potencial mjaft të rëndësishëm. Aktiviteti didaktik dhe promovues do të zërë një vend përherë e më të rëndësishëm në administrimin e ri të Muzeut dhe në rritjen e vazhdueshme të audiencës së tij.





