22 Tetor 2014 – Në një prononcim për mediat, meteorologia “MeteoAlb”-it, Lajda Porja, konfirmoi se Shqipëria do të përfshihet nga një rrymë e fuqishme ciklonare në dy ditët në vazhdim.

Shpejtësia e erës do të arrijë deri në 70 km në orë. Gjatë ditës së nesërme deri afër mbrëmjes stuhia do të zhvendoset në jug të vendit, i cili gjithashtu do të goditet nga shira dhe rrebeshe. Gjithashtu do të ketë edhe dallgëzime në det që do të shkojnë deri në 7 ballë.Ajo tha se gjatë ditës së sotme deri në orët e para të ditës së enjte rryma ciklonare do të përqendrohet në veri dhe qendër të vendit.

Në pjesën e dytë të ditës së premte cikloni do të zhvendoset në Greqi, për t’ia lënë vendin kohës me diell në dy ditët në vazhdim.

18:14 – Stuhi të fuqishme të shoqëruara me reshje të dendura shiu pritet të godasin sonte pas mesnate vendin tonë deri ditën e premte.

Sinoptikanët parashikojnë se një qendër ciklonare do ta godasë të gjithë Shqipërinë, kryesisht perëndimin e vendit.

Do të ketë erëra të forta e reshje të dendura shiu, të cilat mund të shkaktojnë edhe përmbytje në zona të ndryshme. Edhe deti do të jetë i trazuar.

Pasi goditi Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën dhe Evropën Qendrore në fillim të kësaj jave, një stuhi e fuqishme e shkaktuar nga uragani “Gonzalo” pritet të mbërrijë në Evropën Juglindore dhe të shoqërohet me reshje të dendura dhe përmbytje.

Kompania amerikane e specializuar në parashikimin e motit “Accuweather”, raporton se gadishulli i Ballkanit të enjten dhe të premten do të përfshihen nga reshje të dendura deri në 100 mm.

Të martën në mbrëmje e njëjta stuhi goditi Austrinë, Hungarinë, Slloveninë dhe veriun e Kroacisë. Në këto vende janë mbytur qindra rrugë dhe shtëpi. Më i prekuri ka qenë kryeqyteti slloven, Lubjana, ku niveli i ujit ka qenë 137 milimetra.

/Shekulli Online/