DURRËS, 22 tetor 2014 –  Sikurse bëjnë të ditur Instituti i Transportit Tiranë dhe APD Durrës, të enjten, më 23 tetor 2014, do të organizohet një veprimtari informuese në mjediset e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të  Autoritetit Portual Durrës.

Në pjesën e parë do të mbahet seminari me temë: “Zhvillimi i sistemit intermodal shqiptar nëpërmjet Portit të Durrësit në zonën  e detit Adriatik”, në kuadër të promovimit të dy projekteve (INTERMODADRIA dhe MEDNET) të Programit Europian  IPA Adriatic Cross-border Coprporation Programme, i cili ofron mundësi në zhvillimin e nismave bashkëpunuese në rajonin e Adriatikut dhe që kanë si objektiv “Transportin intermodal të qëndrueshëm nëpërmjet detit Adriatik – perspektiva shqiptare” dhe “Harmonizimin e procedurave doganore dhe operimeve portuale në Shqipëri”.

Parashikohet të përshëndesin dhe të referojnë Thanas Poçi, Shkëlqim Gjevori, Shpresa Mhilli, Verë Shiko, Florian Xhelilaj, Meri Lumi, Florenc Meço, Bujar Kotri nga Instituti Shqiptar i Transportit; Selim Belortaja, Arben Xhemali nga Autoriteti i Portual Durrës; Anisë Serbo nga Pika Kombëtare e Kontaktit – “MED Programme”; Andrea Chiappetta nga RAM S p a, LB of MEDNET; Besianë Nika nga JTS – “Adriatic CBC Programme”; Besianë Nika nga JTS – “Adriatic CBC Programme”; Mauro Petraccini nga Rajoni Marche; Xhevair Çeloaliaj (Porti i Vlorës); Kristofor Lapa nga Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës;, Drakuli Lumi, Eli Vyshka nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit; Mateo Spaho nga Universiteti Europian i Tiranës; Edesë Metaj dhe Evë Brinja nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

Kurse pjesa e dytë, që quhet edhe “Dita e karrierës”, synon paraqitjen e mundësive që ofron sektori detar për punësim, në profilet profesionale që veprojnë ne porte, sidomos për studentët dhe të sapodiplomuarit në fushën e transportit detar.

Të ftuar do të jenë grupet e interesit nga fusha e transportit si Instituti i Transportit; portet e Vlorës, Sarandës, Shëngjinit; përfaqësues të doganës Durrës; përfaqësues të administratës detare; agjenci detare spedicionere; kompanitë e ngarkim-shkarkimit; kompanitë koncensionare që operojnë në portin Durrës, etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/