DURRËS, 22 TETOR 2014– Sot, në Spitalin Rajonal Durrës, njëri ndër më të rëndësishmit në vend është inauguruar Klinika e Kimioterapisë. Aty kanë qenë prezent Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqja, kryetari i bashkisë z. Vangjush Dako, nënkryetarja e komisionit parlamentar të shëndetësisë znj. Klodiana Spahiu si dhe mjekë specialistë të këtij spitali. Në fjalën e saj, drejtoresha e spitalit znj. Ardiola Frashëri u shpreh:
“Aktualisht jemi muajin e ndërgjegjësimit për luftën ndaj kancerit të gjirit. Kam kënaqësinë e vecantë sot që pikërisht në këtë muaj ne Spitali i Durrësit është i pari i përzgjedhur nga Spitalet rajonale në vend për hapjen e kësaj klinike edhe si një domosdoshmëri për shkak të numrit të lartë të të sëmurëve tumoralë në rajon. Duke iu referuar statistikave vetëm në vitin 2013 janë diagnostikuar 234 raste të reja me kancer ose 25% rritje krahasimisht me 2012. Rreth 70% e pacientëve kanë nevojë për kimioterapi”.
Gjithashtu, ajo vuri në dukje dhe rritjen e ndjeshme të numrit të grave që i janë nënshtruar kryerje së mamografisë, shenjë kjo, ndërgjegjësimi tek gratë e qytetit tonë. Në fund të fjalës, drejtoresha e spitalit ka falenderuar Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Spitalit Rajonal të Durrësit si dhe mjekët specialistë onkologë të Spitalit Onkologjik në QSUT për asistencën teknike.
/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





