· Mungonte kryebashkiaku i qytetit bregdetar Vangjush Dako që ndodhet jashtë shtetit, por fatmirësisht ishte i pranishëm kryetari, dora vetë, z. Alfred Mullaraj, i cili, për shkak të “modestisë”, nuk njoftoi mediet
· Miratohen 4 linjat ndërqytetase të transportit të udhëtarëve: Durrës-Krujë-Durrës me 12 orare; Durrës-Fushë Krujë-Durrës me 5 orare; Hamallaj-Durrës-Hamallaj me 5 orare; Manëz-Maminas-Shijak dhe kthim nga ora 6:15-15:30
· Në organikën e këshillit të qarkut shtohen 4 specialistë: për koordinimin e politikave sociale dhe barazinë gjinore; për asistencë juridike në implementimin e projekteve; jurist tek urbanistika; për prokurimet publike
· Ok dy varrimeve, si dëshmorë të atdheut, ai i përmetarit nga fshati Zhepovë Agron Dragoj (?-1997) në Durrës dhe të krutanit Hysen Kalaja (1908-1943)
DURRËS, 17 tetor 2014 – Më 17 tetor 2014, zhvilloi një mbledhje të tij këshilli i qarkut i Durrësit, në kufijtë minimalë të pjesëmarrjes, deri në kuorumin “rrotë më rrotë”.
Mungonte kryebashkiaku i qytetit bregdetar z. Vangjush Dako që ndodhet jashtë shtetit, por fatmirësisht merrte pjesë kryetari, dora vetë, z. Alfred Mullaraj, i cili, për shkak të “modestisë” (UPS, sikurse thonë vartës të tij, mbledhja nuk ka ndonjë gjë, prandaj z. Mullaraj nuk i hapi telefonin “Dyrrah”-ut!), nuk njoftoi mediet për këtë ngjarje; madje as në faqen ueb (http://qarkudurres.gov.al/) nuk gjeje njoftim.
Sipas rendit të ditës, u miratuan dy varrime, si dëshmorë të atdheut, ai i përmetarit nga fshati Zhepovë Agron Dragoj (?-1997) në Durrës dhe të krutanit Hysen Kalaja (1908-1943), por relacionet ishin bërë “me këmbë”.
Po ashtu kaluan dhe miratimet për 4 linjat ndërqytetase të transportit të udhëtarëve: Durrës-Krujë-Durrës me 12 orare; Durrës-Fushë Krujë-Durrës me 5 orare; Hamallaj-Durrës-Hamallaj me 5 orare; Manëz-Maminas-Shijak dhe kthim nga ora 6:15-15:30.
U miratuan dy projektvendime, një për rregulloren e brendshme për organizimin dhe funksionimin e ndërmarrjes së rrugëve rurale rajonale dhe për disa ndryshime në vendimin e 17 marsit 2014 të këshillit të qarkut për pagat e punonjësve të zgjedhur dhe të emëruar në këtë ndërmarrje.
U miratua rregullorja për funksionimin e komitetit drejtues për bashkërendimin e punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, në nivel vendor, për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik pranë këshillit të qarkut të Durrësit.
Në organikën e këshillit të qarkut u shtuan 4 veta: specialist për koordinimin e politikave sociale dhe barazinë gjinore; specialist për asistencë juridike në implementimin e projekteve; specialist jurist tek urbanistika; specialist për prokurimet publike.
Në buxhetin e Këshillit të qarkut u bënë disa ndryshime dhe shpërndarje fondesh në shpenzimet operative dhe investimet.
Ndërkaq drejtori i zhvillimit urban dhe turizmit z. Artan Semini paraqiti një relacion për zbatimin e urdhrit të Ministres së Kulturës znj. Mirelë Kumbaro për organizimin e festivalit folklorik kombëtar të Gjirokastrës të 4-9 prillit 2015, ku do të marrin pjesë bashki dhe komuna të qarkut; z. Semini i kujtoi drejtuesit e njësive të pushtetit vendor para miratimit të buxheteve për vitin e ardhshëm që të parashikonin fonde për grupiet folklorike të tyre.
Po ashtu z. Semini relatoi dhe mbi procedurat e miratimit të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10 gusht 1991, e të truallit funksional të tyre kur nuk posedohen akte fitimi pronësie si dhe regjistrimin e tyre.
Në fund u dha dhe një informacion rreth projektit Zero waste / Zero mbetje i programit Adriatic IPA, me 9 partnerë nga Kroacia, Italia, Sllovenia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe këshilli i qarkut të Durrësit; buxheti gjithsej i këtij projekti është 1 356 944 euro, ku për Shqipërinë (qarkun Durrës ka një buxhet 108 280 euro). Projekti që ka filluar në tetor 2014, përfundon në qershor 2015.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





