DURRËS, 18 tetor 2014–  Xhani De Biazi beson se tifozët shqiptarë do t’u japin një leksion serbëve në ndeshjen e kthimit që do të luhet vitin tjetër në “Elbasan Arena”. Në një intervistë për mediat italiane (“Gazzetta dello sport”, “La reppublica”, “Corrierre dello sport”), trajneri i Shqipërisë ka theksuar gjithashtu se është i sigurt se Komisioni i Disiplinës në UEFA do t’i japë skuadrës së tij trepikëshin në tavolinë. “Në ndeshjen e kthimit jam i sigurt se publiku ynë do ta japë një leksion të civilizimit. Skuadra ka reaguar mirë, por është e zhgënjyer për faktin se ishte e gatshme për ta marrë një rezultat historik”, tha trajneri. De Biazi ka zgjuar interesimin e mediave italiane, pas ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u ndërpre në minutën e 41-të, pasi në fushë u futën huliganët serbë. Trajneri ka folur përsëri për tmerrin që e përjetoi në Beograd, derisa insiston se ekipi kuqezi nuk e ka nxitur këtë situatë. Madje, italiani thotë se jetët e tyre ishin në rrezik. “A kisha frikë? Po, sepse kam menduar se ndonjë polic, në kërkim të fluturakes, do të na sulmonte. Dëshironin me çdo kush ta gjenin provën, për ta justifikuar moskapacitetin për ta mbajtur rendin. Pamjet, të cilat nuk do t’i harroj kurrë, janë ato të Canës, i cili u godit nga një pjesëtar sigurimi dhe u kafshua nga një tifoz. Kukelit dhe Xhakës ua kanë thyer hundën, kurse Lenjani është goditur në njërin sy”, rrëfen De Biazi. Më tej trajneri i Kombëtares ka sjellë në vëmendje rrezikshmërinë që iu kanos lojtarëve duke kërkuar tri pikët nga UEFA. “Ne po luanim mirë. Fatkeqësisht ne nuk ishim në gjendje që ta përfundonim ndeshjen, pasi fansat vraponin në fushë. Kjo ishte një situatë e jashtëzakonshme që krijoi rrezik të madh. Futbollistët u sulmuan nga tifozët, ku u krijua një situatë e rrezikshme, por po ashtu edhe nga stafi i sigurisë, që ishte një situatë e jashtëzakonshme. Stadiumi në Beograd qe një vend tipik jo adekuat për t’u zhvilluar kjo ndeshje. Autoritetet duhet të vendosin nëse Serbia të shpërblehet me një humbje prej 3:0, por imazhet janë të qarta dhe të gjithë i kanë parë. Rreziku ishte i jashtëzakonshëm, kurse stadiumi jo adekuat për t’u zhvilluar një ndeshje e këtillë”, tha trajneri italian.