DURRËS, 17 TETOR 2014- Ndodh edhe kështu. Klubi i PAS Janinës do t’i kërkojë shpjegime të hollësishme lojtarit të Kombëtares shqiptare, Andi Lila, për incidentin gjatë ndeshjes kundër Serbisë në Beograd. Pasi është kryqëzuar dje nga mediat greke për faktin se mbrojti flamurin e kombit të tij, që për helenët cilësohet "Shqipëria e madhe", klubi i Janinës ka nxituar të dalë me një deklaratë për shtyp. Drejtuesit e skuadrës ku aktivizohet prej tri vitesh mbrojtësi shqiptar nuk kërkojnë të nxitohen, por gjithsesi kanë theksuar se më parë dëshirojnë të dëgjojnë versionin e Lilës për atë që ka ndodhur. Klubi helen ka paralajmëruar se pasi të merret në pyetje lojtari, atëherë nuk përjashtohet mundësia e penalizimit të tij. Sipas mediave greke, ajo që ka bërë Ergys Kaçe me bluzën e UÇK-së është shumë pak në krahasim me protagonizmin e Lilës në Serbi.
"Pasi helikopteri u ul me flamurin shqiptar, Lila ishte lojtari i parë që shkoi për t’ia marrë nga dora Mitroviçit", shkruante e përditshmja më prestigjioze greke, "Goal Day".





