DURRËS, 17 TETOR 2014-  Uefa, dëno Serbinë për racizëm dhe dhunë, jo për shqetësim të fushës. Është kjo nisma e ndërmarrë për një peticion në drejtim të qeverisë europiane të futbollit, nga AVAAZ.org. Një ndër organizatat më të sukseseshme on line për fushatat qe sjellin ndryshimin, ka vendosur të mbledhë nënshkrimet online për t’i dorëzuar Uefas një peticion ku organizmit maksimal të futbollit kontinental i kërkohet që të ndëshkojë Serbinë për racizëm dhe dhunë dhe jo për shqetësim të fushës. Përmes këtij peticioni i kërkohet Uefa-s që ta dënojë Serbinë për shfaqje të propagandës raciste dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes kundër Shqiptarëve në tetor 2014 në Beograd gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në të theksohet se thirrjet “Vrite, there, që shqiptari të mos ekzistojë” sic u këndua nga tifozët e Serbisë gjatë ndeshjes, përbën shkelje të nenit 14 të Rregullave disiplinare të Uefas dhe si e tillë duhet të ndëshkohen.

Peticioni është nënshkruar brenda pak orësh nga mbi 60 mijë njerëz të cilët kanë dhënë kontributin e tyre me shpresën që zëri i tyre të dëgjohet në procesin disiplinor që do të japë verdiktin e tij në datën 23 tetor. Do të jetë një betejë ligjore, e ftohtë ku do të ketë rëndësi faktet e detajuara, por ajo që nuk thuhet për proceset gjyqësore është se shpesh ndikohen edhe nga opinion publik. Në këtë drejtim është jashtëzakonisht i rëndësishëm misioni që ka ndërmarra edhe nisma tjetër on line , ajo me hashtagunSerbiaAlbania dhe truth që kërkon të informojë opinionin ndërkombëtar mbi faktet dhe ngjarjet që ndodhën vërtetë në stadiumin Partizan të Beogradit.