DURRËS, 16 tetor 2014–  Ministri i jashtëm serb Ivica Dačić e ka konsideruar një incident diplomatik atë që ndodhi në stadiumin e Partizantit në Beograd. Sipas tij shfaqja e flamurit të “Shqipërisë së madhe” ishte një provokim i patolerueshëm. Por Dačić i anashkalon të gjitha goditjet dhe provokimet e bëra ndaj skuadrës shqiptare. Nuk përmend fare futjen e tifozëve në fushë, dhunën e rojeve të sigurisë dhe hedhjen e sendeve të forta në fushë. Madje, Dačić harron edhe çfarë ka thënë për dhunën e tifozëve serbë në Genova në tetor të vitit 2010 që për pasojë çoi në mosfillimin e ndeshjes. Duke hapur arkivin e agjencisë së lajmeve serbe “B92” gjejmë edhe deklaratën e Dačić në vitin 2010, në atë kohë Ministër i Brendshëm i Serbisë që akuzon autoritetet italiane që nuk siguruan mbarëvajtjen e takimit. “Ndërhyrja e policisë italiane duhet të kishte qenë edhe më efektive në mënyrë që të pengonte spektatorët që të fusnin në stadium sende të tjera. Beogradi nuk do të lejonte kurrë që një gjë e tillë të ndodhte” – tha në atë kohë Dačić.

Për fat të keq të Dačić, tashmë ministër i jashtëm, Beogradi nuk arriti të siguronte mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli.