16 tetor 2014 –  Xhani De Biazi është i shokuar pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka folur pas ngujimit në dhomat e zhveshjes. Sipas tij, një ngjarje të tillë nuk e kishte përjetuar kurrë më parë. “Kjo ishte shfaqja më e shëmtuar që më kanë parë sytë sa jam në futboll, qoftë si ish-futbollist, ashtu edhe si trajner. Më vjen vërtet keq që kjo ndodh në futbollin profesionist. Jemi të shokuar dhe njëkohësisht ndihemi të dhunuar pas kësaj shëmtie që ndodhi në Beograd”, ka thënë fillimisht kreu i pankinës kuqezi. Ashtu si gjithë futbollistët, edhe ai është parë të vrapojë drejt tunelit për t’i shpëtuar dhunës së tifozëve serbë. Duke vijuar deklaratën, trajneri kuqezi e cilësoi çnjerëzor faktin që forcat e rendit kontrolluan edhe çantat e futbollistëve në dhomat e zhveshjes. “Ishte e turpshme ajo që ndodhi! Na goditën katër lojtarë dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, policia na kontrolloi çantat në dhomat e zhveshjes, a thua sikur jemi kriminelë. Kjo është çnjerëzore dhe nuk mund të ndodhë kurrë në futbollin profesionist. Jam shumë i dëshpëruar për gjithçka, pasi kurrsesi s’mund të prisja atë ngjarje të dhunshme. Na diskriminuan dhe kjo është e patolerueshme në kohën që jetojmë. U njollos gjithçka, nuk di çfarë emri t’i vendosësh kësaj që ndodhi. Jemi të traumatizuar, pasi erdhëm për të luajtur futboll, por gjithçka u kthye në një njollë turpi. Është e pafalshme për serbët që na pritën në këtë mënyrë, jam thellësisht i zhgënjyer”, u shpreh trajneri i Shqipërisë. Ndërkohë, një ditë para ndeshjes, De Biazi dha mesazhe “fair-play” në konferencën për shtyp, madje ndër të tjera vlerësoi edhe Serbinë si skuadrën më të fortë të grupit. Mirëpo, vendësit treguan anën më të errët të tyre, duke prishur takimin kur rezultati ishte 0-0.