Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 16 tetor 2014 – Ati ynë që je në qiell…
Bukën e përditshme falna sot…
Një datë e trishtë për botën dhe shoqërinë, përderisa kryefjala është ushqimi. Dita Botërore e Ushqimit, e organizuar nga FAO, mbahet çdo vit më 16 tetor. Gjithashtu, në këtë datë festohet themelimi i FAO-s, e cila daton që në vitin 1945. Dita Botërore e Ushqimit ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me problemin e urisë dhe kequshqyerjes në botë, dhe si objektiv kryesor të inkurajojë njerëzit, në nivel global, për të ndërmarrë veprime kundër këtyre problemeve. Dita Ndërkombëtare e Ushqimit festohet në 150 vende të botës dhe çdo vit trajtohet si një çështje e veçantë, e cila ka në fokus shumë aktivitete. Janë jo pak, por rreth 900.000.000 njerëz që vuajnë nga kequshqyerja kronike dhe modelet e zhvillimit të paqëndrueshëm, ata që po kërcënojnë ekosistemin dhe furnizimet me ushqim të së ardhmes.
Për të luftuar kequshqyerjen duhen integruar disa sektorë si: sistemet e Bujqësisë dhe Ushqimit, menaxhimi i burimeve natyrore, arsimi dhe shëndeti publik. Politikat dhe ndërhyrjet në fushën e sistemeve të ushqimit duhet të kenë në konsideratë ushqimin dhe vetëm ushqimin, si objektiv primar.Në vitet ’60 statistikat shënonin 80 milionë të uritur, kurse sot pas një gjysmëshekulli kemi 900 milionë të tillë. Nuk mjafton që në këtë ditë të shpërndahet ushqim falas, në shtetet të cilat janë në zhvillim; në shtetet në të cilat 2/3 e të ardhurave mujore të individëve shkojnë për ushqim. Nuk duhet t’u shpërndahet njerëzve nga një peshk, por t’iu mësohet si ta zënë dhe mbi të gjitha t’u lejohet shfrytëzimi i resurseve të shteteve amë, të ulen çmimet e ushqimeve, të cilat i “vrasin masat heshturazi”. Nëse shifrat e të uriturve dhe të varfërve do të vazhdojnë të rriten, atëherë s’do të mbetet më, asgjë për të fesuar e përkujtuar.
/g.r.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





