DURRËS, 15 tetor 2014 – Ndonëse mjetet zyrtare të komunikimit masiv në Moskë i mbajnë iso Beogradit në prag të vizitës se presidentit rus Putin, shumë gazeta print dhe on-line me vijë editoriale të pavarur në Moskë nuk ndikohen nga zhurma pansllaviste, madje, mundohen të japin një version të tyrin.

Edhe pse shkrimi i portalit  gazeta.ru ka një titull paksa evaziv: “Sherri kosovar i Serbisë dhe Shqipërisë”, nëntitulli është asnjanës: “Ndeshja Serbi-Shqipërisë u ndërpre për shkak të trazirave” (shoqëruar me foton e një grupi naziskin të tifozëve serbë që ndezin zjarr në stadium).

Pas jep detaje të ndeshjes, kjo medie e pavarur ka një shpjegim interesant, ku fajësohet UEFA, që nuk duhet të lejonte bashkimin në një grup të dy vendeve:

“Tashmë fill pas hedhjes së shortit për Euro-2016, që çoi Serbinë dhe Shqipërinë në një grup kualifikues, u bë e qartë se ndeshjet midis tyre nuk do të zhvilloheshin pa provokime.

Në praktikën e UEFA-s ekziston një ndarje vendesh, marrëdhëniet  midis të cilave janë mjaft të ndërlikuara. Sipas rregullave të organizatës nuk mund të luajnë me njëri-tjetrin në kualifikueset e kampionatit evropian Rusia dhe Gjeorgjia, Rusia dhe Ukraina, Azerbajxhani dhe Armenia, Gjibraltari dhe Spanja.

Në këtë rast, Serbia dhe Shqipëria nuk ishin të ndara”.

Në kolumnin e mësipërm bëhet e qartë se “marrëdhëniet midis Beogradit dhe Tiranës u përkeqësuan në sfondin e shpërbërjes së Jugosllavisë, konfliktit të armatosur dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Serbia dhe disa vende të tjera, përfshirë edhe Rusinë, refuzojnë njohjen e këtij shteti, ndërsa Perëndimi dhe aleatët e saj e bënë këtë gjë”.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/