BEOGRAD, 14 tetor 2014 –  Gazetari Blendi Fevziu, pjesë e grupit që u bllokua në aeroportin e Beogradit flet për momentet e tensionit me policinë serbe dhe shkakun e bllokimit të pasaportave.

“Pjesërisht situata është zgjidhur. Një pjesë e personave që u bllokuan për më shumë se një orë, një pjesë janë lëshuar. Për momentin unë jam në hotelin ku ndodhet kombëtarja, që do niset prej këtëj në 19:00 të mbrëmjes për në stadium.

Disa persona të tjerë kanë ngelur. Bllokimi ka ardhur, sepse dy prej personave që ishin me grupin kishin hedhur në qafë shallin kuq e zi. Kaq ka mjaftuar dhe policia nuk jepte shpjegime. Praktikisht nuk më duket se nuk kishte asnjë arsye dhe as udhëzim, thjesht kërkonin që të çekonin një nga një emrat dhe të verifikoheshin me Interpolin nëse ishin persona problematike. Kjo vetëm prej shallit. Ishte shumë e vështirë të marrësh argument, policët nuk flisnin anglisht. Në momentin e fundit e sollën një, por ai më shumë debatonte me të vetët, sesa fliste me ne” – thotë Fevziu, siç raporton "Ora News. 

Fevziu informoi se situata në qytet është e qetë, ndërsa në aeroport dhe rreth hotelit, janë shtuar masat e sigurisë.

 masa të shtuara sigurie ka në aeroport dhe përreth hotelit ku është akomoduar kombëtarja shqiptare.

Për Fevziun, është e njëjta atmosferë si ajo e 2005-s në Athinë për ndeshjen Shqipëri-Greqi.

“Ambasadori është akoma aty, ka gjithë kohën që negocion me policinë, të parët u liruan grupi i federatës, më pas gazetarët dhe po vjen dhe një grup tjetër. Në qytet nuk ka ndonjë situatë, por në aeroport dhe në hotelin ku ndodhet kombëtarja ka masa të mëdha sigurie. Por janë po aq të ekzagjeruara sa çkanë qenë në Athinë në 2005 për ndeshjen Shqipëri-Greqi, është po ajo atmosferë. Këtu rreth hotelit ka 10 furgonë policie, përveç makinave të policisë rrugore dhe dy makina të ndërhyrjes së shpejtë të veshur me antiplumb, skafandra” – shprehet Fevziu.

 

/Index.al/