SHBA, 14 tetor 2014 – Një mesazh të fortë për të ‘qetësuar’ situatën ka ardhur nga kryeministri Edi Rama në lidhje me ndeshjen e sotme mes kombëtares shqiptare dhe asaj serbe, që do të mbahet në Beograd.
Pas incidenteve të ndodhura sot në aeroportin e Beogradit, ku u bllokuan për disa orë gazetarë e biznesmenë shqiptarë, ka ardhur dhe reagimi i kryeministri Rama, ku me anë të një mesazhi në rrjetin social "Facebook" i ka uruar fitoren Kuqezinjve. Sipas Ramës, sot është dita e magjisë së futbollit, dhe jo e politikës e urrejtjes.
“#ForcaShqiperia kjo është dita e #kuqezinjve dhe e magjisë së futbollit, jo e politikës dhe e verbërisë së urrejtjes”-citohet në mesazhin e Ramës, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndeshja e sotme është paraprirë nga polemika të shumta dhe pritshmëri të larta.
Shqipëria do ndeshet në Beograd me Serbinë pas një fitoreje dhe një barazimi me Portugalinë dhe Danimarkën që shihen si favoritët e grupit për ndeshjet eliminatore të Euro 2016.
/BalkanWeb/





