DURRËS, 14 tetor 2014 –  Kur na ndajnë edhe pak orë nga ndeshja Serbi – Shqipëri, në rrjetet sociale vlojnë lloj-lloj komentesh për mënyrën e pritjes së skuadrës sonë atje.

Një ndër komentuesit është edhe deputeti socialist Pandeli Majko, i cili në faqen e tij në “Facebook” zgjedh një gjuhë modeste për t’iu përgjigjur “terrorit” të forcave të sigurisë serbe gjatë shoqërimit të ekipit tonë kombëtar.

“Sot përpara ekranit të televizorit do të jemi të gjithë për të ndjekur ndeshjen e djemve tanë në Beograd. Me emocion njerëzor them se është vetëm një ndeshje futbolli dhe… kaq. Pastaj, nuk e fsheh, se në stadiumin e Serbisë sot djemtë tanë do i shohin si të kishin vënë "plisa" në kokë. Dhe kjo më bën të ndihem krenar për ta. Forca djem!

Tifozët shqiptarë dhe flamuri ynë kombëtar shkëlqejnë sot edhe më shumë në Beograd, me mosprezencën e tyre…”, shkruan Majko në faqen e tij.

Kujtojmë që ekipi ynë u prit dje në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd nga një numër shumë i madh forcash sigurie të armatosura gjer në dhëmbë, të cilat nuk iu ndanë kuqezinjve edhe gjatë rrugës për në hotel.

Takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë do të luhet në orën 20:45 pa praninë e tifozëve shqiptarë.

/Gazeta “Shekulli”/