DURRËS, 14 tetor 2014 – Nga përdorimi i makinave bomba kundër armiqve deri te therja e robërve të luftës, militantët e Shtetit Islamik kanë treguar se janë brutalë në fushën e betejës.
Bombat vetëvrasëse i përdorin shumë grupe militante, nga Al Kaida deri te talibanët, por askush me frekuencë si Shteti Islamik.
“Ata kanë bollëk të luftëtarëve, të gatshëm për të kryer vetëvrasje”, thotë Riad Kahëaji, nga Instituti për Lindjen e Afërt në Bejrut.
Luftëtarët e Shtetit Islamik i përdorin makinat vetëvrasëse si raketa të udhëzuara dhe shpërthimet masive i pasojnë me sulme.
“Janë sikur aeroplanët e koalicionit ndërkombëtar që lansojnë raketa të zgjuara, por dallimi është se ato janë më të sakta dhe elementi shokues është më i madh – ato mbjellin frikë në zemrat e kundërshtarëve”, thekson Kahëaji.
Po, ku i merr Shteti Islamik të gjithë ata luftëtarë të gatshëm për të kryer vetëvrasje?
Kahëaji thotë se rekrutët e rinj përgatiten mirë nga tutorët e tyre, në bazë të ideologjisë dhe gjendjes së tyre psikologjike, dhe pastaj përdoren në përputhje me rrethanat.
“Duket se kanë sistemin e tyre, me të cilin vlerësojnë luftëtarët dhe shohin se cili është më ekstremist dhe më i gatshëm për të kryer vetëvrasje. Ata përgatiten për misionet e tyre dhe përdoren kur e shohin të nevojshme”, thotë Kahëaji.
Përveç shpërthimeve vetëvrasëse, militantët e Shtetit Islamik përpiqen t’i tmerrojnë armiqtë duke kultivuar një imazh të brutalitetit ekstrem.
Bota është tronditur nga vrasja e pengjeve me prerje koke, por armiqtë e militantëve në fushëbetejë janë subjekt i një tjetër taktike: ekzekutimi i të burgosurve të luftës para syve të tyre.
“Ata kanë therur një numër të të burgosurve të luftës para kundërshtarëve, vetëm për të shkaktuar frikë”, shton Kahëaji.
Këta të vrarë para betejave përfshijnë të burgosur të luftës nga ushtria e Sirisë, por edhe nga Ushtria e Lirë Siriane, një grup opozitar në Siri, i udhëhequr nga opozita laike.
Në të njëjtën kohë, Shteti Islamik ka postuar video të ekzekutimeve të të burgosurve në internet.
Në qershor, ai ka publikuar online një video të ekzekutimit të qindra ushtarëve irakianë në Tikrit, ndërsa në gusht janë shfaqur pamje të vrasjes së 120 ushtarëve sirianë në provincën Raka.
Luftëtarët e Shtetit Islamik përdorin frikën edhe kundër civilëve. Kur ata marrin zonat që u përkasin komuniteteve josunite, ata rrëmbejnë dhe qëllojnë burrat e moshës ushtarake. Në rastin e komunitetit Yazidi, militantët rrëmbejnë dhe shesin gratë e reja.
Frika e trajtimit të tillë motivon civilët të evakuohen në masë.
/marrë nga lajmeonline/





