Kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën dhe zhvillimi i lojërave fëminore në oaze të gjelbërta është një luks për kohën ku jetojmë, por jo i pamundur për t’u gjetur.
Ndërsa shihja vogëlushët e moshave 3-6 vjeç që pasditen e së premtes po i gëzoheshin këndit të lojërave të realizuar nga 20 vullnetarë nga Gjermania, Franca dhe Shqipëria, nuk mund të mos mendoja sesa pak duhet për t’i bërë fëmijët të lumtur, ndërsa lodrojnë mes natyrës.


Këtë javë, kopshti “Mollakuqe” u shndërrua në kantier ndërtimi, por rezultati final në përfundim të punës është mbresëlënës.
“janë mbi 20 studentë që kanë ardhur nga Franca dhe Gjermania, së bashku me studentët e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë Eshtë një projekt i jashtëzakonshëm, sepse na bashkon të gjithëve për të ndërtuar një kënd lojërash për fëmijët e kopshtit tonë. I gjithë koncepti është që fëmjët edhe të lozin, por edhe të jenë në kontakt sa më shumë me natyrën”,- thotë për “DurrësLajm”, administratorja e kopshtit, Anita Huqi.

Këndi i lojërave është ideuar dhe projektuar të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë dhe njëkohësisht të mbajë gjallë kontaktin e vazhdueshëm të vogëlushëve me natyrën që i rrethon.


“Gjatë kësaj jave ndërtuam shumë gjëra për këtë kopësht. U ndamë në grupe dhe disa prej nesh realizuan hapësirat me rërë, shtëpinë në pemë, kolovajtësen, tendën etj. Mendoj se kemi ndërtuar diçka me shumë vlerë për fëmijët, të cilët do ta shijojnë për një kohë të gjatë. Gjithçka është krijuar që fëmijët të jenë në kontakt me natyrën dhe po ta shihni këndi i lojërave ka krijuar një lidhje organike me ambientin përreth”,– na tha një nga vullnetarët e ardhur nga Gjermania.
Kopshti “Mollakuqe” është hapur rreth 2 vite më parë në zonën e Xhafzotajt, në rrugën kryesore Durrës – Shijak dhe praktikon pedagogjinë Wardolf – Steiner.
I pozicionuar në mes të gjelbërimit, ku fëmijët janë në kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejtë me natyrën kopshti është mjaft i veçantë në llojin e tij.
M.B.





