DURRËS, 14 tetor 2014 –  Tërmeti ndodh më 14 tetor 2014, datohet më 20 janar 2014; vendi i ngjarjes sizmike është 4 km në juglindje të Kurbneshit (në foton kryesore), por lokalizohet në veriperëndim të tij; këto lajthitje lënë gjurmë në sajtin zyrtar të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

“Dyrrah”- u informua në mesditën e 14 tetorit nga sajtet ndërkombëtare të sizmologjisë se në Shqipëri, më 14 tetor 2014, saktësisht në orën 10:51:01 GMT (12:51:01, koha e Shqipërisë, + 2 GMT) ka rnë tërmet i lehtë në koordinatat 41.75°V, 20.13°L, me epiqendër në thellësinë 7 km.

Kur u konsultua faqja zyrtare e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, u befasuam nga departamenti i sizmologjisë, që datën 14 tetor 2014 e kishte zëvendësuar me 20.01.2014, kurse vendin e ngjarjes sizmike, sipas koordinatave e jepte  4km V-P Kurbnesh, madje shoqëruar dhe me hartë, kur në vërtetë pika e kuqe e tërmetit ndodhet në juglindje të Kurbneshit (shih faksimilen e hartës së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit).

Nuk është hera e parë që “Dyrrah”-u ka vënë në dukje papërgjegjshmërinë e të punësuarve në një institut në varësi të universitetit shtetëror / publik Politeknik të Tiranës, lidhur më saktësinë e anëve të horizontit në njoftimet publike.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/