DURRËS, 14 tetor 2014– Në mëngjesin e së hënës 13 tetor 2014, karabinierët e Padovës të pajisur me qen gjurmues dhe të mbështetur nga një helikopter arrestuan 11 persona, nga të cilët 10 ishin italianë dhe njëri shqiptar. Bëhej fjalë për anëtarë të një bande të madhe grabitësish, hajdutësh dhe blerësish sendesh të vjedhura, që njëkohësisht bënin edhe pastrimin e produkteve të krimit.
Këto arrestime përmbyllën një operacion të filluar një vit më parë në tetor 2013, me arrestimin e disa anëtarëve të tjerë të bandës, që merreshin kryesisht me grabitje me armë. Të arrestuarve iu gjetën armë dhe një pjesë e mallrave të grabitura, kryesisht sende floriri, argjendi dhe orë markash të shtrenjta. Në prill 2014 u arrestua pjesa tjetër e bandës, ndërsa këtë të hënë, u arrestuan edhe pjesëtarët e fundit të bandës. Ndër të arrestuarit ishin edhe pronarë argjendarish të famshme të zonës si psh argjendaria “Gobbi Felice” në qytezën e Kavarceres (Cavarzere). Në këtë argjendari karabinierët sekuestruan edhe 53 Kg. flori në blloqe dhe në fletë, që rezulton i vjedhur nga banda. Pronarët e këtyre argjendarive blinin floririn e vjedhur duke kryer kështu, veprën penale të pastrimit të produkteve të krimit.
Ndër të arrestuarit ishte edhe Alfred Bardhoku, i lindur në 1983, që akuzohet për vjedhje me armë të argjendarive dhe dyqaneve të syzeve të markave të shtrenjta.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





