DURRËS, 14 tetor 2014 –  Më 18 Nëntor Shqipëria dhe Italia do të ndeshen për të parën herë në histori mes tyre. Lajmi që qarkullonte prej ditësh u bë zyrtar nga vetë presidenti i federatës italiane të futbollit Carlo Tavechio. Nëpermjet një komunikate për agjensinë e lajmeve Ansa numri 1 i futbollit italian bëri me dije se ndeshja miqësore mes kombëtares së kaltër edhe asaj kuqezi do të zhvillohet në datën 18 Nëntor por me ndryshimin e vetëm se takimi nuk do të luhet në stadiumin “Enio Tardini” të Parmas sic ishte parashikuar fillimisht por në “Lugi Ferraris” të Genovas, një gjë e tillë  u konfirmua edhe nga faqja zyrtare e federatës italiane të futbollit në internet. 

Ky vendim është marrë nga Tavechio për arsye se kombëtarja italiane e futbollit kërkon t'i vijë në ndihmë krahinës së Ligurias e cila në ditët është goditur nga përmbytje të mëdha të cilat kanë shkaktuar dëme të shumta. Federata italiane e futbollit dhe kombëtarja e kaltër duan të bëjnë pjesën e tyre të punës për të ndihmuar qytetin e Genoas shkruhet në komunikatën e federatës. Drejtuesit më të lartë të futbollit italian kanë marë gjithashtu ok nga presidenti i skuadrës së Genoas Enrico Preziosi dhe ai i Sampdorias Massimo Ferrero që Italia të mund të luajë në stadiumin “Luigi Ferraris” ndaj Shqipërisë. Paratë që do të përfitohen nga shitja e biletave do të shkojnë të gjitha në ndihmë të qytetit për ta riparuar sa më shumë atë nga dëmtimet që ka pësuar nga përmbytjet e ditëve të fundit. Edhe presidenti i Parmës Tomasso Ghirardi i cili i kishte hapur dyert e stadiumit Enio Tardini, Italisë për sfidën e 18 Nëntorit nuk e ka kundërshtuar vendimin e federatës. Gjithsesi e rëndësishme për ne shqiptarët është se në mesin e muajit të ardhshëm do të vihet në skenë ndeshja e shumëpritur mes dy kombëtareve, pak rëndësi ka se në cilin stadium do të luhet, pasi tifozët kuqezinj do të jenë aty në mbështetje të skuadrës tonë përfaqësuese.