DURRËS, 13 tetor 2014–  Fan Noli dhe Faik Konica; dy  nga kolosët e letërsisë shqiptare dhe ndër politikanët më  të rëndësishëm të Shqipërisë së gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Ata janë takuar për herë të parë në Amerikë, pikërisht kur Konica, sapo kishte lënë pas një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij. Për 12 vjet rresht, nga 1897-1909 kishte drejtuar në Londër revistën “Albania”, revistë politiko-kulturore dhe letrare ecila u shndërrua në organin më të  rëndësishëm e më me autoritet të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Më poshtë keni mundësi të lexoni tri letrat personale që Konica i ka dërguar Kryepeshkopit Noli.

Letra nr.1

Personale
Boston 18, Mass.
Më 30 të vjeshtës së parë 1921

I dashur mik,
Erdha këtu me 22 të muajit dhe u prita në një mënyrë shumë të bukur nga shqipëtarët. Personalisht jam i kënaqur së gjithash. Për fat të zi punët e “Vatrës” i gjeta fort të ngatërruara. Në kasë, as një pesësh, deficit, borxhe, – kasa e qeverisë e hapur, dhe huaja kombëtare e cënuar! 
Po s’mund të bëjin edhe ndryshe; edhe unë u jap të drejtë zyrtarëve të shkuar që muarnë këtë masë, se ndryshe “Dielli” do të pushonte dhe gjithë “çështja” do të vuante nga kjo katastrofë.

Anastas Pandelia me Midhat Frashërin edhe me ca të tjerë kanë punuar këtu me aqë dinakëri sa influenca juaj është pakësuar gjer në zero. Anastasi u nis për në Shqipëri duke marrë edhe kasën e një shoqërie tregtare “albanno-amerikane” që është “themeluar” këtu për “lidhje ekonomike” t’Amerikës me Shqipërinë. Natyrisht gjithë puna është një eskrokëri që nga nisja e gjer në funt. President i shoqërisë është Fred Williamsi, i cili s’ka kuptuar se ç’bëhet, edhe nënë-presidenti Mehmeti me Midhatin, – im vëlla duke qenë natyrisht një viktimë.
Më vjen keq për ca djem të mirë që kanë vënë paratë e tyre në një punë aq sheshit pa themel. Kapitali i shoqërisë qenka 50 000 dollarë, nga të cilat gjer tani u prishnë në “misione” për “studime” 10 000. Thuhet se të 40 000 që mbetën i mori Anastas Pandelia duke ikur. Vallë a ka ndonjë gjykatës në Shqipëri?
Do të rri edhe ca ditë në Boston; pastaj do të dal “fshatrave”.
Juaji me besë, Faik Konitza

Letra nr. 2Personale
10 gusht, 1922

I dashur mik,
Të tri letrat personale që më dërguat, i këndova me interes. Konfesoj se të funtmen nuk e mora vesh fare, – se me letrat zyrtare që vejin “crescendo” në dënim të regimit të sotëm, na kishit gatitur me një elimax fare të ndryshmë. S’më duket urtësi shumë e madhe që të bëni aliancë me një nepërkë si Ahmeti ose me një glasë si Hysen Vrioni. Po duhet të jetë atje njeriu që të gjykojë mirë. Ndoshta është rezik që të vejë nga keq në më keq në qoftëse nuk intervenoni. Ahere munt të keni të drejtë të trazoheni. Po mejtoni mirë; se po të falirni dhe këtë radhë, mos prisni më asnjë sener nga Amerika. Në dyshoni pyetni Bitinekun ç’ “fight” kam bërë që të mos ju pritet roga.

Kemi të bëjëmë me armiq pa skrupulla që s’mprapsen nga as një fantazi çpifarake, dhe miqtë tanë janë të vakët; të nxehtët janë një pakicë.
Ju porosit Albert Ghikën si ministër në Paris, në qoftë se merrni çantën e punëve të jashtme. Është i vetmi për atë vend se s’përton të dëgjojë e të thotë gjepura, dhe ka shumë miq në botë politike dhe në shoqëri të Parisit. Kol Martinaj është i mirë për Bukuresht. Pandeli Evangheli për Belgrad. Kost Boshnjaku si charge d’affaire n’Athinë, Anton Çakua si ministër në Romë. – (princ Ghikës munt t’jipen kartëra naturalizimi si Mirdatseh-it, Ghilord-it, Tocc-it, etj).
Juaji me besë Faik Konitza
p.s.
E tepër të ju shpjegoj se me që i doni çekët në dollarë, e vetmja udhë ish t’i bëjim të paguarshme në Neë York. Por s’do të gjeni ndonji pengim.

Letra nr. 3Personale
16 mars 1923
I dashur Mik, 
Ju falemnderit për fjalët e bukura me të cilën më mprojtët në “Parlament”: është një fjalë klasike nga forma dhe nga brenda e përmbledhur.
Më vjen keq për mjerimin që i çkuli nga vatrat e tyre motrat tuaja dhe vëllanë. Më duket se më e mira është të vijnë në Shqipëri, se edhe në u kthefshin në Thrakë, s’ka dyshim se pas ca kohe do t’shtrëngohen prapë të çvendosen.
Një shqiptar i mirë nga të Bostonit dëshëron të sjellë në Amerikë t’anë At Vangjel Lubonjën, që ron tani në Korçë. Që të mos gjejë pengime nga Immigration Office-i ju lutem t’i jipni një porosi inglisht nga ana juaj, që të hyjë këtu si misionar. Jam i bindur që jo vetëm nuk do të pendoheni, po mund të dilni edhe i fituar, se padyshim At Vangjel Lubonja do t’përkrahë lëvizjen kishtare t’uaj në Amerikë. Kthehem përsëri në punë të vëllait dhe motrave t’uaja. Rizgjedhja ime si kryetar i “Vatrës” duket e siguruar, dhe do të bëj të pamundurën që të ju votohet përsëri një shumë për vitin 1923-4.
Juaji me besë Faik Konitza
p.s.
Adresa e At Vangjel Lubonjës është në Korçë. Në është e mundur lehtësojini edhe të nxjerrët e një pashaporti.

Ata mbeten dy gjigantë, që janë sjellë si miq-armiq në periudha të ndryshme të historisë.