DURRËS, 13 tetor 2014 – Në administratën e bashkisë së Durrësit ka një shkujdesje të pafalshme dhe kur bëhen njoftime zyrtare, sa arrihet deri aty që për tenderin e skrapit të ish-mbikalimit te stacioni hekurudhor i udhëtarëve të jepen dy shifra ofertash për të njëjtin pjesëmarrës, thjesht se në mënyrë mekanike bëhet copy/paste i shifrave.
Më 13 tetor 2014, në një njoftim fituesi, shpallur nga ndërmarrja në varësi të bashkisë së Durrësit për shitje skrapi të nxjerrë nga dalja jashtë përdorimi të mbikalimit te stacioni i trenit në sasinë 50 000 kg, jepet ky klasifikim pjesëmarrësish:
1. Nazmi Cara, person fizik me adrese Kamëz pranë bar restorant Cara ndërtesa dykatëshe, kati 1, Bathore-Kamëz, me vlerë 1 815 000 lekë.
2. Bledar Hoxha, person fizik Vorë fshati Muçaj, godinë njëkatëshe përballë Fabrikës së Miellit me vlerë 1 815 000 lekë.
3. Cara shpk, Kamëz pranë bar restorant Cara, ndërtesa dykatëshe, kati 1, Bathore-Kamëz me vlerë 1 815 000 lekë.
Shihni (dhe në faksimile): të tre të renditurit kanë paraqitur të njëjtën ofertë: me vlerë 1 815 000 lekë!
Pastaj më poshtë bashkia e Durrësit thotë se, “duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë Cara shpk, Kamëz, pranë bar restorant Cara, ndërtesa dykatëshe, kati 1, Bathore–Kamëz, se oferta e paraqitur, me një vlerë të përgjithshme prej 1 815 300 lekë është identifikuar si oferta e suksesshme”.
Tani kë të besojmë: shifrën 1 815 000 lekë në renditje apo edhe 300 lekë më shumë: 1 815 300 lekë, si fitues?
“Gallata” më e madhe është se në njoftimin e parë se më 29 shtator 2014 do të organizohej një tender për shitjen e skrapit të nxjerrë nga dalja jashtë përdorimi të mbikalimit te stacioni i trenit, me një vlerë fillestare 1 815 000 lekë, por pa specifikuar peshën, që e nxjerr 50 mijë kg në njoftimin e fituesit.
I bie që oferta të ishte sa shifra fillestare: 1 815 000 lekë.
Kuptohet, këtu kemi të bëjmë me gabim njerëzor prej copy/paste-llëkut.
Por juristi, që ka shpallur të dy shifrat për të njëjtin subjekt, e di mirë që këtu kemi të bëjmë jo me gabim njerëzor, por me vepra penale të falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës, me qëllim apo pa dashje.
Natyrisht, jashtë përgjegjësisë nuk është dhe Agjencia e Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave që nuk verifikon përmbajtjen e njoftimeve, standardet që kërkohen për formulimin dhe respektimin e rregullave më fillestare të radhitjes së një shkrese zyrtare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





