DURRËS, 13 tetor 2014 – Pas dëshmisë së dhënë për media nga një person që pretendon se i njeh vrasësit e bankierit të ndjerë Artan Santo, ka reaguar edhe deputetja e djathtë Mesila Doda. Doda në profilin e saj në Facebook shkruan se qytetari është ndeshur me heshtjen e organeve të rendit dhe se Drejtori i Policisë së Tiranës, duhet të japë shpjegime pse po pengohet zbardhja e krimit.
"Një qytetar dëshmon për ngjarjen më të rëndë të këtij viti dhe ndeshet me heshtjen e organeve të rendit. Drejtori i policisë së Tiranës, Ardian Cipa nuk shpjegon pse nuk ka vepruar, pse ka heshtur dhe nuk ka lëshuar urdhër arrestet për persona me rrezikshmëri të lartë, për të cilët ka pasur denoncim. Kësaj here nuk mund t'ia hedhin me deklarata për mosdije a mosnjohje të këtij denoncimi. Do duhet të japin përgjigje për të vërtetat që mbrojnë vrasësit dhe arsyet që pengojnë zbardhjen e këtij krimi. Nëse rendi është palë me krimin, ashtu siç është sot politika, të gjithë jemi të rrezikuar", shkruan Doda në Facebook. Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Ardian Çipa. Drejtori i Policisë së Tiranës, bëri me dije se të gjitha informacionet e reja në lidhje me vrasjen e Artan Santos, i takojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor. " Policia e Shtetit bën me dije se për ngjarjen në fjalë kanë ardhur me dhjetëra informacione në të cilat pretendohet se jepen të dhëna të vlefshme për hetimin. Policia e Shtetit ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që i është dhënë asaj dhe falenderon të gjithë qytetarët që kanë dhënë këto informacione. Por, ajo sqaron se është e detyruar me ligj që të bëjë vlerësimin e burimeve dhe të vërtetësisë së tyre. Policia e Shtetit ka strukturat e saj të specializuara të cilat bëjnë verifikimin e të gjitha informacioneve të marra nëpërmjet metodave dhe mjeteve të përcaktuara në ligj. Të gjitha informacionet që jepen në Policinë e Shtetit kalojnë detyrimisht në këtë proces duke përfshirë edhe ato që mund t’i jepen Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet telefonit nga njerëz anonim. Informacioni në fjalë i dhënë nëpërmjet telefonit nga një person anonim , i cili nuk ka dashur të identifikohet dhe as të marrë takim të drejtpërdrejt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit , apo me ndonjë nga Specialistët e ngarkuar me këtë hetim , është duke ndjekur këtë proces vlerësimi dhe verifikimi qysh nga data e marrjes së tij. Drejtori i Përgjithshëm mirëpret informacionet që i vijnë atij edhe drejtpërsëdrejti ndonëse kjo nuk është procedura normale , por vlerësimi i këtij informacioni dhe verifikimi i tij bëhen nga strukturat përkatëse të hetimit. Dhënia e një informacioni Drejtorit të Përgjithshëm nuk përbën arsye për ta vlerësuar këtë informacion më shumë se të tjerët, është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin e tij dhe mbi këtë bazë së bashku me Prokurorin e ngarkuar për këtë çështje përcaktohet edhe plani i veprimit që do të ndiqet. Policia është e vetëdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias dizinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës. Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarit në fjalë që të paraqitet pranë organit procedurial penal që është Policia Gjyqësore e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ose Prokuroria e Tiranës, për të dhënë informacionet që ai pretendon se ka lidhur më ketë ngjarje dhe aty do të marrë edhe përgjigjen se çfarë është bërë deri tani me informacionin e dhënë prej tij. Policia falënderon mediat që janë të interesuara për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe sidomos NEËS 24 , e cila ndonëse me vonesë po interesohet për ish aksionerin që zotëronte 50 % të aksioneve të saj , duke lënë pas dore problemet që ka pasur kur ishte gjallë", thuhet në deklaratën e policisë. Ndërkohë një media shqiptare ka publikuar lajmin se një dëshmitar, pretendon se ka parë dhe mund të identifikojë vrasësit e vërtetë e bankierit, Artan Santo. Pritet që më vonë të jepet dëshmia dhe detaje të tjera për ngjarjen në fjalë.
/agjencia e lajmeve “Sot News”/





