DURRËS, 13 tetor 2014–  Evidentimi i një numri jo të vogël mësuesish, të cilët japin mësim jashtë profilit të diplomës që kanë marrë, si dhe treguesit e nivelit arsimor në vend, prej kohësh janë bërë objekt diskutimesh e debatesh. Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, zbardh procedurat e lëvizjeve paralele, emërimet dhe largimet nga puna të mësuesve. Ata individë, të cilët kanë grumbulluar më shumë pikë,

mbi bazën e kualifikimeve kanë përparësinë për të zënë pozicionet e lira.

 Emërimet 

Drejtori i institucionit publik të arsimit parauniversitar, brenda dy ditëve nga dita kur vendi i një mësuesi lirohet, shpall vendin e lirë të punës. Shpallja i dërgohet fillimisht drejtorisë arsimore nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni arsimor për lëvizjet paralele. Afati i njoftimit dhe dorëzimit të dokumentacionit për lëvizjet paralele nuk mund të jetë më shumë se 10 ditë. Vendet e shpallura të lira, në fillim i ofrohen mësuesve të të njëjtit profil dhe nivel, brenda së njëjtës njësie arsimore vendore. Kërkesa për lëvizje paralele dhe dokumentacioni përkatës i paraqiten drejtorisë së institucionit publik të arsimit parauniversitar, ku është vendi i lirë i punës. Drejtoria e institucionit publik të arsimit parauniversitar mbi bazën e kërkesave të paraqitura, ngre komisionin për shqyrtimin e kërkesave për lëvizjen paralele të mësuesve nga një shkollë në një tjetër, për të njëjtin profil dhe nivel brenda së njësie arsimore vendore (DAR).

Komisioni shqyrton kërkesat për lëvizje paralele brenda 3 ditëve. Kriteret e shqyrtimit të kërkesave, në rast se janë më shumë se një, bazohen në përvojën e punës dhe kualifikimeve (deri 10 pikë), shkalla  e kualifikimit (deri 12 pikë), aftësi të veçanta, gjuhë të huaja, botime etj. (deri 8 pikë) dhe intervista me gojë (deri 10 pikë). Mbi bazën e pikëve të grumbulluara, komisioni liston kandidatët dha ia paraqet drejtorit të shkollës, për emërimin e mësuesit me më shumë pikë të grumbulluara. Në rast se nuk ka kërkesa për lëvizje paralele, për shkollën ku është shpallur vendi i lirë i punës, për nivelin përkatës brenda dy ditëve nga përfundimi i afatit 10-ditor për paraqitjen e dokumentacionit, drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me zyrën arsimore, shpallin vendin e lirë për konkurrim për kandidatë jashtë sistemit arsimor, në një mjedis publik të shkollës përkatëse ambientet e DAR-it dhe në faqen e internetit. Afati i njoftimit dhe dorëzimit të dokumentacionit për konkurrim, nuk mund të jetë më shumë se 10 ditë. 

Dokumentacioni i aplikimit për mësues dhe afati i dorëzimit  

Kandidati për mësues duhet të plotësojë kriteret që përcaktohen në Kontratën Kolektive të Punës të nivelit të parë. Paketa e aplikimit për mësues përmban: a) CV dhe kopje të dëshmive apo dokumente që vërtetojnë pohimet në CV. b) Tabelën e të dhënave për aplikant. c) Raportin mjekoligjor. d) Dëshminë e masave disiplinore në fuqi në ngarkim të tij. e) Dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se 3 muaj para datës së aplikimit. Dokumentacioni i aplikimit dorëzohet në drejtorinë e institucionit arsimor, me procesverbal dorëzimi. Dorëzimi i dokumentacionit kryhet jo më vonë se dhjetë ditë pas shpalljes së vendit të lirë. 

 Largimi i mësuesit nga puna  

Drejtorët e shkollave kanë të drejtë të pezullojnë mësuesit në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë në ngarkim të tij nga organet kompetente, për një ose më shumë nga rastet e mëposhtme: a) Ka falsifikuar dokumente zyrtare. b) Ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare. c) Ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit. ç) Ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit. d) Ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit. e) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënësit që mëson ose me nxënësit e shkollës së tij. f) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënës jashtë shkollës së tij, kur nuk është i licencuar për të ushtruar këtë veprimtari private. dh) Ka marrë ryshfet. g) Ka bërë deklaratë të rreme në procesin e aplikimit. Drejtori i shkollës ka të drejtë të largojë nga puna mësuesin, kur ai kryen shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, Kontratës Kolektive ose individuale dhe të legjislacionit në fuqi. Procedurat e emërimit dhe shkarkimit të mësuesit janë objekt i inspektimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. 

Ja si do të bëhet emërimi nga komisionet 

Komisioni mblidhet në mjediset e shkollave, në datën e caktuar nga kryetari i komisionit brenda afatit të përcaktuar në udhëzim. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë kërkesat për lëvizje paralele. Gjithashtu, komisioni shqyrton kërkesat për konkurrim nga jashtë sistemit, dokumentacionin e paraqitur nga të gjithë kandidatët dhe liston aplikantët me dokumentacionin e plotë, të cilët do të vlerësohen nga komisioni. Aplikantët që nuk pranohen, njoftohen ne shpallje në mjediset e shkollës. Aplikantët e skualifikuar kanë të drejtën e ankimit brenda ditës, pranë drejtuesit të zyrës arsimore sipas juridiksionit të institucionit arsimor parauniversitar, i cili shqyrton ankimin, në bazën e këtij udhëzimi. Komisioni interviston secilin aplikant për metodat e tij të punës dhe e vlerëson me pikët, nga 1 deri në 10. Më pas, komisioni mbledh pikët e secilit aplikant dhe i liston ata sipas pikëve të grumbulluara. Brenda së njëjtës dite, komisioni shpall, në një vend publik në institucion, listën e kandidatëve me pikët e secilit aplikant. Çdo kandidat ka të drejtën e ankimit brenda dy ditëve pune, nga dita e shpalljes së listës përfundimtare. Kryetari i komisionit i dorëzon drejtorit të shkollës, dosjet e aplikimit dhe listën e vlerësimeve me pikët e gjithë kandidatëve. Këta të fundit kanë të drejtën e ankimimit pranë drejtuesit të zyrës arsimore, i cili shqyrton ankimet e paraqitura brenda dy ditëve, duke urdhëruar lënien në fuqi ose shfuqizimin e akteve të komisionit dhe vendos vetë sipas objektit të ankimit dhe Kodit të Procedurave Administrative. 

Procedura e emërimit 

Drejtorët e shkollave emërojnë kandidatët me më shumë pikë, të listuar në listën e komisionit apo të drejtuesit të Drejtorisë Arsimore. Në rast se ka dy kandidatë me të njëjtat pikë, drejtori hedh short në prani të tyre dhe emëron direkt fituesin. Brenda dy ditëve, nga dorëzimi i dokumentacionit nga komisioni, drejtori shpall një vend publik të institucionit arsimor, mësuesin e emëruar prej tij. Vendimi për emërim i dërgohet për njoftim titullarit të njësisë arsimore vendore dhe mësuesit të sapoemëruar. 

Rekomandimet 

Në shtojcat e këtij urdhri, bashkëngjitur me CVnë që duhet të dorëzojnë dhe udhëzimin për plotësimin e tyre dhe një tabele me të dhënat e aplikantëve me dëshmitë e aftësimit përfshihen edhe rekomandimet. Shtojca me numër 3, përcakton se një rekomandim zë jo më shumë se gjysmë faqe. Ai lëshohet nga mësuesi, drejtori i shkollës ose titullari, me kusht që aplikanti të ketë punuar vitet e fundit shkollore me rekomanduesin. Nuk lejohet që të dy rekomanduesit të jenë mësues. Rekomandimi përshkruan tri aspekte të veprimtarisë profesionale të aplikantit, duke përdorur fjalët “Mjaftueshëm”, “Mirë” ose “Shumë mirë”, Këto aspekte janë: zbatimi i ligjshmërisë, etika dhe arritjet profesionale. Rekomanduesi mund të shkruajë ndonjë ngjarje të spikatur në karrierën e aplikantit.

 /index.al/