DURRËS, 13 tetor 2014 – Kur viti 2014 numëron muajt e tij të fundit, afrimi i 2015-s rrit ethet për garën elektorale vendore edhe në Durrës ku këtë herë pritet të zhvillohet një betejë edhe më e fortë pushteti. Në kampin rozë janë të bindur se kandidati i tyre do të jetë kryebashkiaku aktual, Vangjush Dako, i cili e ka shprehur në kohë të ndryshme se do të rikandidojë për mandatin e tij të tretë. Ndërkaq, demokratët kërkojnë me ngulm të fitojnë qytetin ku nuk drejtojnë që nga viti 2000. Emrat më të diskutuar nga e djathta janë ato të Ardian Mukës, Arqile Goresë dhe Seit Kërtushës. Edhe Agron Duka thuhet se do të jetë një kandidat i mundshëm për Bashkinë e Durrësit, por emri i tij lakohet dhe për Bashkinë e Shijakut. Ndërkaq, përkundrejt socialistëve që janë mbërthyer në emrin e Vangjush Dakos, në PD edhe të tjerë emra përfliten, po në të gjitha rastet janë kandidatura të hedhura për t’u testuar si brenda partisë, ashtu dhe në elektorat. Një kandidaturë që ka nisur të shihet me simpati është dhe ajo e deputetit Oerd Bylykbashi, ndonëse ai nuk ka shprehur ende ndonjë interes për të. Një tjetër emër shumë i diskutuar për Bashkinë e Durrësit është ish-kryebashkiaku, aktualisht ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Kjo do të krijonte një përballje të fortë brenda shumicës, po socialistët janë të bindur se Durrësi është i tyre dhe nuk do të duhet të bëhet ndonjë kompromis PS-LSI. E ndërsa Dako është i duhuri për Durrësin, socialistët duken të bindur edhe për kandidatin e tyre në Shijak. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se deri më tani ka mbështetjen e plotë për të kandiduar për një mandat të dytë, Indrit Buka, kryetari aktual i bashkisë. Nga kampi i djathtë del sërish dhe në Shijak emri i Agron Dukës. Loja është e hapur dhe gara e ethshme për pushtet në Durrës nuk ka nisur ende.
/marrë nga Gazeta “Shqip”/





