DURRËS, 8 tetor 2014– Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj ka akuzuar qeverinë e shkuar të Sali Berishës se në largimin nga pushteti, e la qëllimisht Shqipërinë tokë të djegur. Ministri Ahmetaj ka bërë me faj ish qeverinë e kaluar për gjendjen e ekonomisë së vendit, duke renditur një sërë arsyesh të konfirmuara dhe me statistika. Një fakt tronditës i bërë me dije dje nga Ahmetaj ishte dhe rënia e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar, edhe pse nga vetë qeveria e asaj kohe u deklarua si viti më prodhues. Ahmetaj ka akuzuar hapur ish qeverinë Berisha se vitin e kaluar, duke e ditur se i kishte ardhur fundi, ka shterruar qëllimisht HEC e Fierzës, madje e ka lënë në nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit. Qëllimi sipas ministrit të Ekonomisë ishte fare i qartë, që qeveria e ardhshme të vinte në pushtet në një gjendje katastrofike, pa të ardhura, pa ujë, pa drita, pa asnjë aset publik. “Në vitin 2013, në mënyrë të papërgjegjshme, ish-qeveria ka tharë hidrocentralin e Fierzës, e ka dorëzuar me 268 m kapacitetin hidrik, nga më të ulëtit në 20 vite dhe po të shikoni prodhimin e vitit 2013 është më i larti në 23 vite. Po pse, kjo është përgjegjshmëria e një qeverie që të thajë hidrocentralin, t’ia lërë qeverisë që vjen tokën të djegur? Këtu, në këto shifra, ju mund të shikoni qartë se ka shkuar 6.073 prodhimi i Kaskadës, nga 4 mijë që është normalisht, 2 mijë më shumë se çdo vit normal tjetër. Kishim gjë përmbytje në maj të vitit 2013? Jo. Nuk kishim. Çfarë kishim? Kishim ndonjë rritje kërkese të çuditshme në tremujorin e II-të 2013?Jo. Patëm ndonjë industri të madhe që sapo hyri dhe konsumonte energji? Jo. Atëherë çfarë kemi këtu? Kemi një veprim të qëllimtë e të papërgjegjshëm për të tharë Fierzën”, ka deklaruar ministri Ahmetaj, ndërkohë që sipas tij, viti 2013 ishte viti me prodhimin më të madh në 23 vjet. Kjo sipas tij s’tregon asgjë tjetër veçse filozofinë e tokës së djegur, aplikuar nga ish qeveria Berisha. Ahmetaj: Ekonomi në konsolidim Sulmet e opozitës pas publikimit të raportit të 3 mujorit të dytë të INSTAT, sipas të cilit ekonomia ishte në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ministri Ahmetaj i ka cilësuar si mani të opozitës për një gjueti të re për kauzën që i mungon në këtë moment. Ai ka pranuar faktin që statistikat zyrtare tregojnë një rënie të krahasueshme tremujor me tremujor,0.61 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, por tashmë ekonomia sipas tij ka hyrë në një trend konsolidimi dhe të tre tremujorët, tremujori i fundit i vitit 2013, tremujori i I-rë dhe tremujori i II-të i vitit 2014,në vetvete, të krahasuar me njëri tjetrin, janë të tre në rritje, 0.18 %, 0.23 %% dhe 0.38 %. Në përgjigje të akuzave të PD për rënien ekonomike, ministri Ahmetaj i ka cilësuar arkitektë të gropës ekonomike elektorale, ish-ministrin e Financave dhe ish-Kryeministrin, të cilët sipas tij e dinë më mirë se kushdo tjetër atë që kanë lënë pas. “Dua të ndaloj në atë që ka thënë ish-ministri i Financave, Ritvan Bode. Ka rënë ndërtimi tha. Ndërtimi ka vite që bie. Ajo që ka ndodhur në tremujorin e II të vitit 2013 është pikërisht gropa elektorale e krijuar nga qeveria që e la vendin në atë situatë të rëndë ekonomike. 80 për qind e investimeve publike u avancuan për një tremujor. Ky është tremujori kur u krijuan gati 200 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit. 200 milionë dollarë borxhe të pa dhënë. E pra, ky stil ekonomik ka mbaruar. Ka një model të ri ekonomik, i cili garanton rritje afatgjatë, rritje të zgjuar dhe stabilitet ekonomik, jo gropa apo rritje të përkohshme dhe më pas rënie të thella, siç ka ndodhur në vitin 2013”, ka vijuar ministri i Ekonomisë, duke e konsideruar 3 mujorin e dytë 2013 si një manipulim elektoral, që ka sjellë rritjen ekonomike të publikuar më parë nga INSTAT.
/SotNews/





