Tiranë, 7 tetor 2014 – Katër persona të armatosur mesnatën e së hënës kanë rrahur dhe grabitur ish-kryetarin e komunës Fierzë në rrethin e Pukës, Nik Nikën, i zgjedhur për dy mandate në këtë detyrë nën siglën e Partisë Demokratike.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Valias të ri në zonën e Kamzës, aty ku familja Nika banon.

Nik Nika ka shpjeguar për “Ora News” të gjithë tmerrin që ka kaluar nga goditjet me qytën e armëve, lidhjen me litar dhe përfundimin në spital ndërsa, shenjat e dhunës në fytyrën e tij janë mjaft të dukshme.

Nika tregon:

“Më janë hedhur sipër me qyte automatiku, pistoletë, goditje nga më të ndryshmet, më kanë lidhur këmbët, duart, “do të vrasim, do të presim, do të djegim me benzinë”…Nga më të ndryshmet…Pasi më lidhën, arritën të grabisin çfarë u pëlqeu, çfarë iu desh. Më lanë të lidhur. Përforcuan të lidhurën edhe njëherë dhe u larguan. Me sa pata forcë dhe mundësi, u zgjidha. Njoftova policinë.”

Sipas tij, kjo ngjarje nuk është thjesht një grabitje, duke lënë të kuptohet se qëndron diçka tjetër pas saj.

“Thjesht grabitje nuk mund të jetë, sepse grabitja…(tregon fytyrën) Ky është një përdhunim, fizikisht; unë kam ngelur pa

ndjenja dhe ndoshta nuk e kanë ditur…Tani që po më shohin thonë “Si qenka gjallë?”

Komisariati nr.5 i Tiranës mësohet se ka shoqëruar disa persona për këtë ngjarje, ndërsa dyshohet se në shtëpinë e familjes Nika janë vjedhur rreth 2 milionë lekë.